Ansi Agolli do të mbajë shiritin e kapitenit në ndeshjen e së mërkurës ndaj Francës. Në një konferencë për mediat të mbajtur pranë hotelit ku është akomoduar Kombëtarja në Francë, Agolli dha se ndihej i vlerësuar për vendimin e De Biazit dhe në të njëjtën kohë, foli për përgjegjësitë që mbart shiriti i lënë nga Lorik Cana, pas kartonit të kuq që mori ndaj Zvicrës.

“Është një kënaqësi mjaft e madhe si futbollist. Është maksimumi për një lojtar dhe shpresoj të jap maksimumin për këtë ndeshje. Përgjegjësia është mjaft e madhe. Janë 10 milionë shqiptar që t’i përfaqësosh”, deklaroi Agolli.

Ndërsa u shpreh se është i ndërgjegjshëm për presionin me të cilin do të përballet nesër në fushë.

“Franca nuk ka vetëm Pogbanë, por disa lojtarë cilësorë, sidomos lojtarët e krahëve. Ne që luajmë në krah do të kemi shumë punë nesër. Për sa i përket ndeshjes me Zvicrën, pas një ndeshje emocionuese, arritëm të dilnim në lojën tonë, kartoni i kuq na i vështirësoi disi gjërat”, tha ai, shkruan ‘panorama’.

Pas daljes me karton të kuq të Lorik Canës pjesën e parë ndaj Zvicrës, shiritin e kapitenit e mori mbrojtësi Elseid Hysaj.

Por trajneri Xhani De Biazi duket se ka ndryshuar mendim, duke ia kaluar shiritin e kapitenit Ansi Agollit.

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: