Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se klanet mafioze dhe anëtarët e tyre do të përfundojnë në qeli dhe do të japin llogari para ligjit.
Ai kujtoi angazhimin e qeverisë së tij në vitin 2005, kur për 18 muaj, me vendosmëri, u arrit që të kapeshin dhe të ekstradoheshin në Shqipëri bosët e krimit, shumë prej të cilëve u dënuan me burgim të përjetshëm.
Berisha ka kritikuar kryeministrin Rama për lirimin e këtyre individëve dhe ka theksuar se qeveria e tij do të ketë zero tolerancë ndaj grupeve mafioze, të cilat do të ndiqen dhe kapen kudo që ndodhen.
“Klanet mafioze dhe anëtarët e tyre do të përfundojnë aty ku duhet ta kenë vendin në qeli dhe para ligjit. Të kujtoj se në 2005, për 18 muaj vendosmëria jonë për të rivendosur shtetin ligjor, bëri që të kapeshin bosë të krimit kudo që ndodheshin në botë dhe të ekstradohen në Shqipëri. Shumë prej tyre u dënuan me burgim përjetë. 1050 bosë dhe anëtare të bandave. Rama i liroi, ne kemi 0 tolerancë ndaj tyre. Kjo do të jetë një nga aksionet më të para. Grupet mafioze do të ndiqen kudo ndodhen”, u shpreh kreu i PD.
(BalkanWeb)
