Protesta kundër qeverisë së Edi Ramës dhe kërkesa për largimin e kryeministrit shqiptar kanë tërhequr vëmendjen edhe të medias italiane Sky.it, e cila raporton për përshkallëzimin e situatës në Tiranë dhe përplasjet mes demonstruesve dhe policisë.
Sipas Sky.it, grupe studentësh u mblodhën fillimisht para Ministrisë së Arsimit, ku kërkuan dorëheqjen e kryeministrit socialist Edi Rama. Tubimi u shoqërua me tensione, ndërsa disa kazanë mbeturinash u dogjën dhe protestuesit hodhën gurë e bomba molotovë në drejtim të forcave të rendit. Policia reagoi me autobotë uji dhe gaz lotsjellës.
Media italiane raporton se, pavarësisht shiut të dendur dhe pakësimit të numrit të protestuesve, turma u zhvendos më pas drejt Kryeministrisë, ku situata u tensionua sërish.
Atje, disa qindra demonstrues hoqën pllakat e trotuarit përgjatë bulevardit kryesor dhe i hodhën drejt efektivëve të policisë të vendosur pranë hyrjes anësore të godinës së qeverisë. Përgjigjja e policisë ishte aktivizimi i autobotëve të ujit, ndërsa nga ana e protestuesve u hodhën sërish molotovë.
Sipas raportimit, pas thirrjeve të policisë për t’u tërhequr, efektivët ndërhynë me gaz lotsjellës dhe tre autobotë uji, duke shpërndarë turmën. Ndërkohë, automjete të shumta policie u pozicionuan në akset kryesore të kryeqytetit për të parandaluar grumbullime të tjera.
Në fokus të protestës mbetet kërkesa politike për dorëheqjen e Edi Ramës, ndërsa përplasjet e fundit po marrin vëmendje edhe në mediat ndërkombëtare.
