Kriza diplomatike midis Meksikës dhe Ekuadorit vijon të thellohet, pasi presidentja meksikane Claudia Sheinbaum përjashtoi çdo mundësi për rivendosjen e marrëdhënieve me qeverinë e presidentit ekuadorian Daniel Noboa, të cilin e cilësoi si të “zgjedhur në rrethana të dyshimta”.
Deklarata vjen pas tensioneve të forta midis dy vendeve, që kulmuan në prill 2024, kur forcat e sigurisë ekuadoriane sulmuan ambasadën e Meksikës në Quito për të arrestuar ish-presidentin Jorge Glas, i cili ishte strehuar aty pasi kishte marrë azil politik. Ngjarja u dënua gjerësisht në nivel ndërkombëtar dhe çoi në ndërprerjen zyrtare të marrëdhënieve diplomatike nga ana e Meksikës.
Sheinbaum, e zgjedhur presidente pas një fushate të fortë me tone të majta dhe të vendosura ndaj politikës së jashtme, ka mbështetur haptazi kundërshtaren e Noboa, Luisa González, e cila ka kontestuar rezultatin e zgjedhjeve dhe ka kërkuar rinumërim një kërkesë që është refuzuar nga autoritetet zgjedhore ekuadoriane.
Ndërkohë, Jorge Glas mbetet i burgosur në Ekuador dhe Meksika ka ngritur një çështje në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke kërkuar ndëshkim për shkeljen flagrante të të drejtës ndërkombëtare dhe sovranitetit diplomatik.
Tensionet duket se nuk do të zbuten së shpejti, ndërsa Sheinbaum ka lënë të hapur vetëm një rrugë për dialog të ardhshëm: largimin e Daniel Noboa nga posti i presidentit.
(BalkanWeb)
