Artan Tafani, i penduari i drejtësisë, ka dhënë para gjykatës detaje të reja mbi vrasjen makabre të Fridman Xhaferrajt nga Korça. Ai rrëfeu sesi anëtarët e bandës së Laert Haxhiut planifikuan dhe bënë vrasjen, duke lidhur dhe më pas mbytur viktimën në një rezervuar.
Tafani tregoi gjithashtu bisedat që zhvilluan gjatë rrugës drejt vendit ku do të hidhej trupi. “Ligori mori në celular Laertin dhe i tha se Klisman Xhaferri ka folur në celular me dikë për punë malli. Ndonëse ishim tek hoteli, Laerti na tha: ‘Çohu, do ikim në Korçë ta vrasim’”, rrëfeu ai.
Ai vijoi: “Kur u nisëm për Korçë, unë, Laerti dhe Lulzimi, ky i fundit mori një pistoletë nga një garazh ku mbanin armët dhe një makinë me portobagazh. Ndaluam në Pogradec ku takuam Bledar Berberin dhe Mariglen Topuzin, të cilët i morëm në makinë. Gjatë rrugës, Laerti kërkonte vend ku do të hidhte trupin, ndërsa Bledari kishte chat dhe email. Pamë një rezervuar. Rrugës bënin edhe shaka, Marigleni i tha Laertit: ‘O lala, ma le ta bëj unë, të mësoj dorën’.”
Tafani theksoi se për çdo gjë që ndodhte, Bledari ishte në dijeni dhe se vetë ai kishte qenë i mpirë gjatë kryerjes së vrasjes në Tepelenë.
Kjo dëshmi hedh dritë mbi mënyrën e dhunshme dhe të organizuar me të cilën u ekzekutua Fridman Xhaferraj.
(BalkanWeb)
