Nëse SHBA-të vendosin t’i bashkohen Izraelit në sulmin ndaj Iranit, Teherani nuk do të ketë “zgjidhje tjetër” përveçse të hakmerret, tha për CNN zëvendësministri i Jashtëm iranian Majid Takht Ravanchi.

“Nëse amerikanët vendosin të përfshihen ushtarakisht, nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të hakmerremi kudo që të gjejmë objektivat e nevojshëm për t’u ndërmarrë veprime”, tha Ravanchi në një intervistë me CNN. “Kjo është e qartë dhe e thjeshtë. Sepse ne po veprojmë në vetëmbrojtje.”

Ravanchi tha gjithashtu se udhëheqja e vendit të tij tani dyshon në “sinqeritetin e amerikanëve” duke pasur parasysh kohën e sulmit të parë të Izraelit.

“Dy ditë para se të fillonte raundi tjetër, ndodhi agresioni. Pra, kjo është një tradhti e diplomacisë. Kjo është tradhti e besimit tonë ndaj amerikanëve”, tha ai, duke iu referuar bisedimeve për marrëveshjen bërthamore që ishin duke u zhvilluar me SHBA-në. “Ne duhet të jemi ata që duhet të kritikojmë mënyrën se si u trajtuam nga amerikanët, jo anasjelltas.”

Sipas zëvendësministrit të jashtëm, Teherani nuk i është drejtuar SHBA-së ose Izraelit për të rinisur bisedimet bërthamore që kur shpërthyen armiqësitë.

«Nuk po i drejtohemi askujt», tha ai. «Po mbrojmë veten. Edhe pse gjithmonë kemi promovuar diplomacinë… nuk mund të negociojmë nën kërcënime. Nuk mund të negociojmë ndërsa populli ynë është nën bombardime çdo ditë. Pra, nuk po lutemi për asgjë, thjesht po mbrojmë veten».

Zyrtarët izraelitë u kanë bërë thirrje civilëve iranianë të ngrihen kundër qeverisë aktuale, duke argumentuar se tani është koha për ndryshim regjimi, me udhëheqësit në Teheran të “dobësuar” nga konflikti.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb