Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi gjatë konferencës për shtyp nga selia blu se deputeti i PS në Qarkun e Durrësit, Arkend Balla është i lidhur me kartelet e trafikut të drogës dhe organizatat kriminale. Lideri demokrat shkoi më tej me akuzat e tij kur tha se Balla ka qenë i punësuar në kompaninë e Troplinëve.

Berisha tha gjithashtu se Balla është parashikuar për të qenë ministër i Brendshëm në qeverinë e re socialiste. Arkend Balla rezultoi më i votuari në Durrës në zgjedhjet e 11 majit me 20 718 vota.

Sali Berisha: Farsa elektorale e 11 Majit 2025, kishte si njërin nga tiparet më kardinale, rolin përcaktues të karteleve të drogës dhe organizatave kriminale. Është bërë i njohur, i famshëm përfaqësuesi i kartelit Troplini, kartelit më të madh të kokainës në Europë, pas spostimit nga vendet e tjera dhe zotërimit nga ky kartel të portit të Durrësit.
Përfaqësuesi i këtij karteli dhe Edi Ramës, Arkend Balla, i parashikuar si ministër i Brendshëm, njeriu që mori 5200 vota më shumë se Edi Rama në qarkun e Durrësit, është i lidhur shpirt dhe xhep me këtë kartel.

Nga leximi i dokumenteve të tij, Arkend Balla, i cili pas largimit të një deputeti të PS, u fut në parlament, ka deklaruar veten të punësuar vetëm në universitetin e Durrësit. Por, po të shihet me kujdes deklarata e pasurisë së tij, rezulton se nga data 1 qershor e vitit 2021 deri me datën 5.8.2023, famozi Arkend Balla, ka qenë i punësuar në kompaninë Nisatel.
Kompania Nisatel, një nga ortakët themelues ka Sidrit Danajn, i cili sot zotëron 100 përqind të aksioneve. Kjo është një kompani që ofron shërbime interneti, telekomunikacioni, televizioni.

Për periudhën 2015-2025, kjo kompani ka përfituar nga institucionet shtetërore 900 mijë euro pagesa. Nisatel është një kompani që adresën primare ku ushtron aktivitetin e ka në Vlorë, dhe kjo pas hulumtimeve, është gjetur se si Arkend Balla u përzgjodh nga kjo kompani për t’u punësuar pranë saj.

Pra, Arkendi me 5200 vota më shumë se Edi Rama në këto zgjedhje krahasuar me vitin 2021, ishte i punësuari i Nisatelit. Prej majit të vitit 2018, ortak i vetëm i Nisatel është shtetasi Sadrit Danaj, një personazh i denoncuar në mënyrë të përsëritur nga PD për kryerjen e veprave penale në kohën kur u emërua kryetar qarku në Vlorë nga Edi Rama.

Sadriti është vëllai i Nexhmedin dhe Vexhi Danaj. Nexhmedin Danaj pas një hetimi 5-vjeçar të Antimafias Italiane është akuzuar për trafik ndërkombëtar droge në bashkëpunim me shtetasin Elvis Doçi apo Visi i Pojës. Pra, Danajt janë pjesë kryesore e kartelit Troplini.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb