NGA OLA MITRE*
Provimi i shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit do të zhvillohet gjatë tri javëve të para të muajit korrik”. Gjithçka bëhet me dije nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, e cila ka përcaktuar dhe dokumentet që duhet të kenë kandidatët në ditën e testimit. Pjesëmarrësve iu kërkohet të jenë të pajisur me letërnjoftim (kartë identiteti ose pasaportë), kopjen e tyre si dhe faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit për llogari të AKP-së, nga një bankë të nivelit të dytë apo postë.
Ajo duhet të jetë sipas faturës për arkëtim të publikuar në faqen zyrtare të AKP-së, ndërkohë që shuma e paguar duhet të jetë sipas herës së pjesëmarrjes. Kjo do të thotë se, nëse po hyni për herë të parë në provim ju duhet të paguani 10 mijë lekë, ndërkohë që për çdo herë që jeni përsëritës, shuma shtohet me nga 2.500 lekë, duke arritur në 20 mijë lekë për ata që futen në provim për herë të pestë.
Po ashtu, ditën e provimit kandidatët duhet të paraqesin kopje të diplomave të programeve të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara prej tyre, si dhe njohjen e tyre nga MAS, në rast përfundimi të programeve të studimit jashtë shtetit. Nëse kandidati ka ndryshuar mbiemrin, atëherë duhet të paraqesë certifikatën përkatëse që vërteton këtë ndryshim.
Ndërkaq, sa i takon paraqitjes në qendrat e provimit, ndalohet marrja me vete dhe përdorimi i celularëve dhe mjeteve të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të provimit, pasi kjo vlerësohet si kriter skualifikimi. Po ashtu, ndalohet duhani, konsumimi i ushqimit në mjediset e provimit si dhe komunikimi gjatë zhvillimit të provimit. Provimi i shtetit do të zhvillohet në godinën e Agjencisë Kombëtare të Provimeve, me adresë: Rruga “Naim Frashëri”, Nr. 37, Tiranë, ndërsa paraqitja dueht të bëhet 30 minuta para fillimit të provimit të shtetit.
TEZA
Në total janë 22 nënprofesione që do i nënshtrohen provimit të shtetit, ndërkohë që teza do të jetë e ndarë në dy pjesë: Pjesa pedagogjike, ku futet dhe drejtshkrimi, me 30% të pyetjeve, dhe pjesa profesionale me 70%. Ndërkohë që sot “Gazeta Shqiptare” publikon të plotë programin e përbashkët orientues për pjesën pedagogjike, i cili përfshin të gjitha temat dhe literaturën e nevojshme për t’u studiuar.
Ai është i ndarë në 6 komponentë, e më konkretisht: Kurrikula e arsimit parauniversitar, metoda e mësimdhënies dhe mendimi kritik, aftësitë ndërkurrikulare, vlerësimi i nxënësve, menaxhimi i klasës dhe psikologjia e zhvillimit. Për të 6-të këta komponentë Agjencia Kombëtare e Provimit ka listuar edhe literaturën përkatëse për t’u studiuar.
Pjesa pedagogjike e tezës përfshin edhe drejtshkrimin e gjuhës shqipe, ku përfshihen të tjera tema për t’u studiuar. Drejtshkrimi i zanoreve, i bashkëtingëlloreve, i fjalëve të huaja dhe i emrave të përveçëm të huaj, çështje gramatikore dhe përdorimi i shkronjave të madha, janë disa nga temat që përfshihen në këtë pjesë të testit.
Ndërkaq, sa i takon pjesës profesionale, programi i provimit të shtetit për pjesën profesionale do të bazohet në kompetencat kryesore që duhet të zotërojë një kandidat për mësues në formimin e tij profesional sipas lëndës ku ai jep mësim. Sot “GSH” publikon programet orientues për nënprofesionin: Matematikë, Informatikë, Gjuhë-Letërsi, Anglisht dhe Histori.
(m.k/BalkanWeb)
