Politikani kontrovers britanik, Nigel Farage, ka pranuar ftesën e kryeministrit Edi Rama për të vizituar Shqipërinë, pas replikave mes të dyve ditët e fundit, lidhur me shqiptarët të cilët kanë probleme me drejtësinë britanike.
“E pranoj ftesën e Kryeministrin@EdiRamaal për të vizituar Shqipërinë si i ftuar nderi. Do të diskutojmë kthimin e të burgosurve shqiptarë”, shkruan në Twitter Farage.
Ndërsa në një mesazh me video, Farage insiston se shifrat të cilave ai iu është referuar për numrin e shqiptarëve në burgjet angleze, janë të sakta.
“1/50 shqiptarë janë në burg në Britani. Kryeministri Rama thotë se shifrat e mia janë gabim dhe se si mund të mendojmë ne si një shtet të deportojmë të ata që kanë dështuar në kërkimin e azilit. Ai vetë po bën një marrëveshje me Italinë për të marrë disa nga kërkuesit për azil. Çfarë hipokrizie nga ky kryeministër pro BE dhe anti-Brexit. Nëse je një njeri kaq i mirë, pse nuk i merr të gjithë të burgosurit tonë. Ne kemi kontrolluar 2 herë shifrat dhe e dimë që jeni të saktë. Por ai pretendon të kundërt. Rama më ka ftuar të shkoj në Shqipëri të diskutojmë shifrat, do ta pranoj ftesën dhe do të raportoj më vonë”, thotë ai në video mes të tjerash.
***
Kreu i partisë “Reform UK”, megjithatë, nuk kursen asnjë përgjigje ndaj Ramës, i cili thotë se nga njëra anë bën një marrëveshje me kryeministren italiane Giorgia Meloni për të çuar refugjatët në kampet e Gjadrit, por nga ana tjetër, sipas tij, refuzon të marrë shqiptarët e burgosur në Britaninë e Madhe.
Më herët, në një intervistë, Nigel Farage tha se e kishte fituar bastin me Edi Ramën, por theksoi gjithashtu se nuk i pëlqenin qëndrimet kritike të kryeministrit shqiptar ndaj Brexit-it, referendumit që nxori Anglinë nga BE-ja.
(BalkanWeb)
