Në emisionin “Kjo javë” në News 24, drejtuar nga Nisifa Tufa, Alda Bardhyli ndau disa sugjerime leximi për verën.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit theksoi rëndësinë e rikthimit te klasikët, si dhe vlerën e letërsisë shqipe.
Ajo rekomandoi vepra si “Mandarinët” e Simone De Beauvoir dhe “Në kërkim të kohës së humbur” të Prustit. Bardhyli dha edhe sugjerime për politikanët, duke përmendur veprat “Republika” e Platonit dhe “Arti i luftës” i Sun Tzu.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli: Kur flasim për lexime bere, mua më pëlqen që të rikthehemi ndonjëherë dhe tek klasikët. Vetëm pak kohë më parë është botuar në shqip një vepër e madhe e një autoreje që unë e dua dhe e çmoj, Simone De Beauvoir. Është vepra “Mandarinët” e përkthyer nga Diana Çuli. Do e sugjeroja këtë vepër, që na çon në vitet 1945, është vepër që tregon për përpjekjet e një grupi intelektualësh francezë, një përpjekje e tyre e vazhdueshme për të shpëtuar një botë, e cila ishte në fund të Luftës së Dytë Botërore, bota duket sikur i është rikthyer sërish në këto ngjarje dhe në kontekstin kulturor e gjeo-politik, kjo është vepër që na mëson për rolin që duhet të kenë mendjet e mprehta të një shoqërie. Përmes kësaj vepre, autorja duket se i bën ftesë intelektualëve sot, që të jenë më të pranishëm me potencialin e tyre në çështje politike e kulturore të vendit të tyre. Do sugjeroja edhe “Në kërkim të kohës së humbur” të Marsel Prust. Një vepër interesante është edhe “Shënimet e një gruaje”. Janë “Kujtimet” e Tedi Papavramit, “Parajsa Artificiale” e Ben Blushit, Alfred Peza ka nxjerrë roman interesant, doja të rikthehemi dhe tek letërsia shqipe. Bajram Karabolli ka ripërkthyer “Don Kishotin”.
Nëse flasim për politikën, që politikanët të lexojnë libra pra, besoj se për maxhorancën do ishte e vlefshme vepra “Republika” e Platonit, pasi ka nevojë për qeverisje të mirë dhe për reflektim. Për opozitën, do sugjeroja një autor interesant kinez, Sum Tzu, “Arti i luftës” është libër që ka në thelb strategjinë sesi të ruajmë kurajon, qetësinë dhe të menaxhojmë situata reflektuese dhe të kemi tensione sa më pak kur kemi sfidat tona. Sugjeroj dhe autorët shqiptarë.
