Qeveria e Kosovës ka dërguar në Kuvend përgjigjen lidhur me nismën e Partisë Demokratike të Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Përgjigjja përfshin vlerësimin e përputhshmërisë me acquis të BE-së, ndikimin buxhetor dhe opinionin ligjor për përmbajtjen e projektligjit.
PDK-ja kërkon që mandati i Gjykatës Speciale të kufizohet në trajtimin e krimeve të përfshira në raportin e Dick Martyt, ndërsa krimet e luftës për të cilat janë dënuar ish-krerët e UÇK-së të gjykohen në Kosovë. Nisma parashikon gjithashtu monitorim ndërkombëtar të punës së Speciales.
Çështja është rikthyer në qendër të debatit politik pas vendimit të 16 shtatorit, me të cilin Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi u dënuan me një total prej 81 vitesh burgim.
Ndërkohë, PDK-ja ka kërkuar që ndryshimet për Specialen të trajtohen para çështjes së zgjedhjes së presidentit. Pas takimit me Albin Kurtin të premten, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se për këtë çështje nuk ka ende dakordim.
