Gazetari Igli Çelmeta, i ftuar në studion e News24, ka komentuar rregullat e reja për parkimin në vend, ku është paralajmëruar se shkeljet e rënda mund të çojnë edhe në ndjekje penale.
Sipas Çelmetës, deklaratat e fundit të drejtuesve të Policisë Rrugore kanë krijuar konfuzion në opinionin publik dhe kanë nevojë për një sqarim të mëtejshëm.
“Në deklaratën e tij, drejtori i Policisë e sqaroi se ndëshkimi me burg parashikohet vetëm në rastet kur ndalohet lëvizja e automjeteve të emergjencës, si zjarrfikësja, ambulanca apo policia. Por publikisht u krijua përshtypja se çdo parkim në mënyrë të gabuar mund të çojë në burg,” tha Çelmeta.
Ai shtoi se parkimi i makinës “dysh” apo në vende të palejuara do të ndëshkohet me gjobë, siç ka qenë edhe më parë, por vetëm në rastet kur drejtuesi i mjetit nuk reagon dhe pengon për një kohë të gjatë mjetet e shërbimeve emergjente, mund të përballet me pasojë penale.
“Nëse një person është në një kafe aty pranë dhe nuk del të lëvizë makinën për të hapur rrugën për një ambulancë apo zjarrfikëse, kjo përbën shkelje të rëndë dhe është e ndëshkueshme penalisht,” theksoi gazetari.
