Avokati Gentian Serjani është paraqitur sot para ambienteve të News24 për një intervistë me gazetarin Osman Stafa, ku ka reaguar ashpër lidhur me bllokadën e policisë ndaj godinës ku operojnë edhe mediat Panorama, Gazeta Shqiptare dhe BalkanWeb.

Serjani e cilësoi veprimin si një “paligjshmëri totale”, duke theksuar se nuk mund të sekuestrohet një pronë pa urdhër të vlefshëm gjyqësor. “Nuk mund të vijë policia të ekzekutojë një vendim pa praninë dhe urdhërin e përmbaruesit”, tha ai. Sipas tij, kjo është shkelje e Kodit të Procedurës Civile dhe e një urdhri të Gjykatës Kushtetuese që u dha vetëm tri muaj më parë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të gazetarëve.

Ndër më shqetësuesit, Serjani përmendi sekuestrimin e sendeve personale të gazetarëve, që sipas tij përbën një shkelje flagrante të Kushtetutës dhe një sulm ndaj lirisë së medias.

“Jemi përballë një shkeljeje të rëndë kushtetuese që cenon lirinë e shtypit dhe të drejtën e gazetarëve për të punuar pa frikë e ndërhyrje të padrejta,” u shpreh avokati.

Situata e bllokadës së godinës mbetet e tensionuar, ndërkohë që gazetarët dhe aktivistët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet dhe ndërkombëtarët për të garantuar lirinë e medias dhe funksionimin normal të redaksive.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb