Të paktën 27 emigrantë kanë vdekur pasi dy anije u fundosën në Mesdhe të mërkurën, thanë agjencitë humanitare.
Afër 60 persona janë shpëtuar dhe shumë të tjerë konsiderohen të zhdukur. Ky është incidenti i fundit në Lampedusa, ku shumica e emigrantëve kalojnë në tentim për të arritur në Evropë.
Kryqi i Kuq tha për AFP-në se 56 burra dhe katër gra i kanë shpëtuar fundosjes së anijeve me migrantë. Kjo organizatë tha se është ende e paqartë se sa persona ishin në dy anijet që ishin nisur nga Zavija në Libi dhe nga Tripoli mbrëmjen e së martës.
ANSA njoftoi se ndër të parët që u transportuan në morgun e Lampedusës ishin trupat e një të sapolinduri, tre fëmijëve, dy burrave dhe dy grave.
Reagon Giorgia Meloni
Kryeministrja Giorgia Meloni me një deklaratë zyrtare për mediat u shpres se ‘tragjedia e sotme ngjall tek të gjithë një ndjenjë të thellë tronditjeje.’
‘Është e qartë cinizmi me të cilin trafikantët e qenieve njerëzore organizojnë këto udhëtime të rrezikshme,’ deklaroi ajo.
Meloni ripërsëriti angazhimin e qeverisë për të luftuar këta trafikantë, duke parandaluar nisjet e paligjshme dhe duke menaxhuar fluksin migrator. Sipas saj, kjo tragjedi tregon se ndërhyrja për shpëtimin nuk është e mjaftueshme dhe nuk zgjidh shkaqet e këtij problemi dramatik.
Reagon dhe zv/kryeministri Matteo Salvini
‘Vdekjet në Lampedusa më prekin thellë: përtej keqardhjes dhe lutjeve, kemi detyrimin të angazhohemi për të luftuar trafikantët e qenieve njerëzore, të cilët janë përgjegjësit e vërtetë dhe të vetëm të kësaj tragjedie, së bashku me ata që mbështesin emigracionin pa kufij.’- shkruan Matteo Salvini.
