Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka thënë pas një takimi në Beograd me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian (BE), Peter Sorensen, se është thelbësore që dialogu me Kosovën të “kthehet tek obligimi” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe te mbrojtja e të drejtave të serbëve.
“Politika jonë është politika e paqes, e përkushtuar fuqishëm në kërkimin e zgjidhjeve kompromisi përmes dialogut, por edhe e vendosur dhe e përgjegjshme në mbrojtjen e interesave shtetërore e kombëtare”, shkroi Vuçiq më 26 gusht në Instagram pas takimit me Sorensenin.
Ai shtoi se “përpjekja për ndalim” të pjesëmarrjes së Listës Serbe në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë tregon se “respektimi i të drejtave themelore dhe lirive të veprimit politik të serbëve është i rrezikuar”.
Vuçiç theksoi, gjithashtu, se me Sorensenin zhvilloi një bisedë të hapur, të fokusuar në mundësitë për vazhdimin e dialogut me Prishtinën, si dhe mbi sfidat që lidhen me pozitën e serbëve në Kosovë.
Sorensen, pas takimit me presidentin serb , do të takohet edhe me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.
I dërguari i BE-së për dialogun kishte vizituar Prishtinën më 6 gusht, ku me zyrtarët kosovarë kishte diskutuar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
I pyetur nga gazetarët mbi gjendjen aktuale të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Sorensen tha shkurt se procesi është “aktiv”.
Marrëveshja për të cilën bëhet fjalë u arrit mes dy palëve në vitin 2023.
Edhe pse nuk është nënshkruar, BE-ja insiston se marrëveshja është detyruese./REL
(BalkanWeb)
