Leonardo DiCaprio, një nga aktorët më të vlerësuar të kinemasë moderne, ka rrëfyer së fundmi se ka një rol të veçantë që do të dëshironte ta rikthente në ekran. Fituesi i çmimit Oscar, i cili së shpejti do të shfaqet në filmin “One Battle After Another”, u shpreh për E! News se është i hapur për të interpretuar sërish Jordan Belfort-in, ndërmjetësin e korruptuar të bursës në filmin kult të vitit 2013 ‘The Wolf of Wall Street’.

“Do të ishte argëtuese të bëja më shumë gjëra në ‘The Wolf of Wall Street’ tha DiCaprio. Roli, i realizuar nën regjinë e Martin Scorsese dhe përkrah aktorëve si Margot Robbie, Matthew McConaughey dhe Jonah Hill, mbetet një nga interpretimet më të paharrueshme të karrierës së tij. Ky film i solli aktorit edhe nominimin e katërt për çmimin Oscar, duke e vendosur në qendër të vëmendjes së botës së kinemasë.

Por, përveç dëshirës për të rikthyer një rol të kaluar, DiCaprio ka folur edhe për një zgjedhje që e ka lënë me peng. Në një intervistë për Esquire, ai pranoi se ishte penduar që refuzoi të interpretonte Dirk Diggler në filmin Boogie Nights (1997), një vepër e Paul Thomas Anderson që më vonë i hapi rrugën famës së aktorit Mark Wahlberg.

“Do ta them, edhe pse je këtu,” iu drejtua ai Wahlbergut gjatë një bisede publike, duke shtuar: “Zhgënjimi im më i madh është që nuk e bëra Boogie Nights. Ishte një film i veçantë për brezin tim. Nuk mund ta imagjinoj askënd tjetër përveç Markut në atë rol. Kur më në fund e pashë filmin, mendova se ishte një kryevepër.”

Këto rrëfime tregojnë jo vetëm reflektimet e DiCaprios mbi karrierën e tij, por edhe respektin e madh që ai ka për kolegët dhe për rolet që kanë lënë gjurmë në historinë e kinemasë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb