Këshilltari i PS në Bashkinë e Tiranës, Alfred Muharremi, ka komentuar mungesën e tij në votimin për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.

I ftuar në News24, Muharremi deklaroi se u largua për arsye personale dhe nuk arriti të merrte pjesë në votim.

Ai theksoi se Tirana ka nevojë për një kryetar aktiv që të çojë përpara punët e qytetit. Sipas tij, vendimi për shkarkimin e Veliajt ishte politik dhe jo juridik.

Këshilltari i PS në Bashkinë e Tiranës, Alfred Muharremi: Tiranës i duhet një kryetar, kjo është e qartë. Nuk kishte koordim për votimin. U largova për arsye personale, para votimit. Mendova që do kishte kohë për votim, por kur u ktheva, kishte mbaruar votimi. Por, jam dakord që Tirana ka nevojë për një kryetar, sepse duhet të bëhen punët e kryeqytetit.

Nuk mund të mbahet peng Tirana, duhet të përmbushë disa funksione kryeqyteti, që i takojnë. Vendimi për shkarkimin e Veliajt ishte politik, për shkak të situatës ku ndodhet kryetari. Ne nuk i bëmë gjyq juridik Erion Veliajt, ai ende nuk ka një vendim që e ka dënuar. Por, vendimi ishte i tillë, sepse Tirana ka nevojë për kryetar. Veliaj patjetër që ka bërë shumë punë për kryeqytetin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: