Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të ndalojë përkohësisht ushtrimin e profesionit të avokatit për Besart Logun, i cili ndodhet nën hetim për veprën penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm”.

Në një vendim të shpallur sot nga gjyqtari Florjan Kalaja, Apeli ndryshoi masën e mëparshme të sigurisë të dhënë nga shkalla e parë, duke zbatuar nenin 243 të Kodit të Procedurës Penale. Masa e re ndaluese i ndalon Logut të ushtrojë aktivitetin si avokat, në pritje të përfundimit të hetimeve.

“Urdhërohet ndalimi i përkohshëm i ushtrimit të profesionit të avokatisë për shtetasin B.L.”, thuhet në njoftimin zyrtar të gjykatës, e cila ka urdhëruar gjithashtu njoftimin zyrtar të Dhomës Kombëtare të Avokatisë për këtë masë.

Aktualisht, Besart Logu ndodhet në “arrest shtëpie”, por ndalimi i përkohshëm nga ushtrimi i profesionit pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në aktivitetin e tij ligjor dhe në përfaqësimin e klientëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb