Banorët e fshatrave të Vlorës si Tragjas, Orikum, Dukat dhe Radhimë janë mbledhur në një takim të përbashkët, të cilin e quajtën “Kuvendi Komunitar i Krahinës”, me qëllim kundërshtimin e prishjeve të bizneseve të tyre nga ana e IKMT-së.
Sipas organizatorëve, pas këtij aksioni qëndron një plan i qeverisë për t’i kaluar pronat e banorëve në duart e disa oligarkëve, përmes projekteve turistike.
Banorët deklaruan se do të bëjnë gjithçka për të mbrojtur pronat e tyre, madje nuk përjashtuan as përplasjet fizike me Policinë, nëse do të jetë e nevojshme.
Takimi u zhvillua pasditen e së premtes, ku u denoncua se një grup i IKMT-së u ka lënë një afat verbal për largimin e bizneseve në zonën e Orikumit dhe Llogarasë deri në fund të Tetorit.
Sipas tyre, ky operacion nuk ka të bëjë me ndërtimet pa leje, por me krijimin e hapësirave për investitorë të fuqishëm, duke përjashtuar banorët nga zhvillimi ekonomik i zonës së tyre.
Organizatori i takimit, Edvioll Kulluri, u shpreh me tone të ashpra:
“Këtë kuvend e kam krijuar për t’u bërë bashkë banorët e krahinës. IKMT-në do ta thyejmë, dhe nëse duhet, edhe me përplasje fizike. Fillimisht do të ecim me peticion dhe kallëzime në drejtësi, por duhet të jemi të përgatitur të krijojmë struktura që do të përballen fizikisht me uniformat e policisë për të mbrojtur pronat tona”.
Banorët theksuan gjithashtu se janë bërë falsifikime të certifikatave të pronësisë, duke ua marrë tokat vendasve dhe regjistruar ato në emër të individëve me ndikim, pa asnjë lidhje me zonën.
“Prishja e objekteve nuk bëhet për një shëtitore, por për të ndërtuar resorte. Kjo do të thotë që banorët nuk do të kenë më mundësi të zhvillojnë bizneset e tyre në bregdet,” – thanë ata.
Në përfundim të takimit, pjesëmarrësit firmosën një peticion për funksionimin e Kuvendit Komunitar dhe ngritën grupe pune për të vijuar aksionet.
Ata ranë dakord të mblidhen sërish ditën e diel për të vendosur mbi hapat e mëtejshëm dhe vijimësinë e protestave./ Syri Tv
