Emisioni Vetting
Pas viteve ‘90, me ndryshimin e sistemit politik, Shqipëria nisi ndërtimin e një kuadri ligjor që njihte pronësinë intelektual. Ligji i parë shqiptar për të drejtën e autorit u miratua në vitin 1992 dhe u ndryshua disa herë, ku në 2005 u rishikua dhe u përshtat me standartet Bashkimit Europian dhe Konventës së Bernës.

Në vitin 2016 do të miratohej ligji përfundimtar për të drejtën e Autorit i cili njohu edhe rolin e organizatave të specializuara si Albautor, AKDIE, FMAA dhe FABER, duke i bërë ato përgjegjëse për mbledhjen e tarifave dhe shpërndarjen e të ardhurave tek autorët. Po ashtu, ligji përcakton dënime të qarta për shkeljen e të drejtave të autorit, si gjoba, bllokim të materialeve të paligjshme dhe madje ndjekje penale në raste të rënda.

Por artistët kanë ngritur shqetësimin pasi e drejta e autorit për shumë kompozime dhe tekste nuk po ju mbrohet.

Zef Çoba, kompozitor dhe Mjeshtër i madh tregon se i është përdorur materiali duke ju mohuar e drejta e autorësisë në vitin 2004 në Miss Glob që është zhvilluar në Durrës. Por kjo nuk është hera e vetme që artistit i janë përdorur krijimet pa lejen e tij dhe pa marrë vlerësimin financiar.

Një nga rastet më flagrante për abuzim lidhet me këngën “Xhamadani Vija-Vija” të kompozitorit Zef Çoba.

“Tre vite më parë në kohën që zhvillohej kampionati botëror, kënga ime “Xhamadani vija-vija”, ishte përdorur nga Megatek, një sipërmarrës kaq i fuqishëm, duke zëvëndësuar fjalët në lidhje me interesat e biznesit. “Xhamadani vija-vija, Megatek mbushim shtëpiat”.

“Unë u ankova por me përjashtim që kënga u hoq nga përdorimi si reklamë. Nuk përfitova ndonjë zhdëmtim ose ndonjë të ardhur nga kjo”, shprehet i zhgënjyer kompozitori Çoba.

Një tjetër kompozitor dhe Mjeshtër i Madh, Vladimir Kotani pohon se nuk ndjehet i vlerësuar nga mënyra se si puna e tij vlerësohet rreth 100 euro në vit.

“Jam i ofenduar dhe i indinjuar dhe nuk e ndjej dhe as që e shikoj të mbrojtur të drejtat e mia krijuese dhe as që vlerësohet ekonomikisht transmetimit i krijimeve të mia, por tjetërsohet.

Bile nga disa institucione artistike, jo vetëm që nuk vihet në dijeni dhe të merret miratimi nga krijuesi, por mohohet edhe autorësia duke mos përmendur fare emrin e krijuesit kur e transmetojnë krijimtarinë,”, tha për “Vetting” kompozitori Kotani.

Madje dirigjenti në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, Edmond Doko shprehet se e drejta e autorit nuk ka asnjë lloj transparence.

“Unë jam anëtar si dirigjent i një shoqate interpretësh dhe është gati qesharake kur në fund të vitit, diku në numrin tim të llogarisë, në konton time bankare diku rreth 10 mijë lekë të reja, ndërkohë që unë s’e di sa opera e sa koncerte në këto televizione kam realizuar. Nuk i kam ndjekur, nuk kam qenë i kujdesshëm dhe unë s’e kam mbrojtur të drejtën time”, deklaron për “Vetting” Edmond Doko.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb