Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka vijuar akuzat ndaj qeverisë gjatë mbledhjes së sotme të grupit parlamentar të PD-së, duke e cilësuar projektin e aeroportit të Vlorës si “një ndër aferat më të mëdha korruptive”.

Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku “kanë parashikuar ndërtimin e aeroportit më të madh në Ballkan që të bëhej vjedhja më e madhe”.

“Ne nuk ndërhyjmë në punët e brendshme të aksionerëve, ato i zgjidhin vetë me gjykatë. Por kishte një moment supermafioz kërcënimi me jetë ndaj Behgjet Pacollit. Ai episod ka një domethënie të madhe për të kuptuar se cili është enturazhi i Edi Ramës dhe i Lubi Ballukut,” tha Berisha.

Kreu i opozitës shtoi se, sipas tij, ish-ministrat Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj nuk kanë pranuar të firmosin kontratën për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, pasi nuk ishin dakord me mënyrën e financimit dhe kostot e projektit.

“Ata nuk kanë pranuar të firmosin tenderin sepse nuk ishin dakord me 120 milionë euro që do të paguheshin për biletat e munguara dhe kërkuan që aeroporti të ndërtohej me faza,” u shpreh Berisha.

Sipas tij, kontrata përfundimisht është firmosur nga Balluku.

“Kur ka firmosur Lubi Balluku, Rama u tha atyre: ‘Kjo më zgjidh mua punët e mia, ju nuk më duheni më’. Dhe sot, në vend që të japë dorëheqjen me Lubinë e tij, ai e quan këtë një sulm që SPAK-u i partisë po i bën atij,” deklaroi Berisha, duke e akuzuar kryeministrin për mbrojtje politike ndaj ministres së Infrastrukturës.

Kreu i PD-së tha se Balluku “vijon veprimtarinë si një fantazmë, sikur nuk ka ndodhur asgjë”, ndërsa sipas tij, afera e aeroportit të Vlorës përfaqëson “kapjen e shtetit dhe arrogancën e pushtetit socialist ndaj institucioneve”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb