Në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit “Luarasi”, pedagogia Denisa Kele theksoi se “dita e diplomimit nuk është vetëm një festë, por mbyllja e një udhëtimi me dinjitet dhe nisja e një etape të re në jetën e të rinjve”.

Duke vlerësuar “Luarasin” si një institucion modern dhe të besuar të arsimit të lartë, Kele u ndal edhe te përgjegjësia që bart secili student pas marrjes së diplomës, duke i cilësuar të diplomuarit si ambasadorë të vlerave të universitetit.

Ajo e cilësoi këtë ditë si një festë të arritjeve dhe rrugëtimit akademik të studentëve të cilët tanimë përmbyllëm studimet dhe nisin rrugëtimin e tyre profesional.

Fjala e plotë

Të nderuar drejtues të Universitetit Luarasi, e nderuara Presidente, znj. Fabiola Hysenbelliu, i nderuar Rektor, Prof. Ethem Ruka, pedagogë, prindër, të ftuar specialë, dhe mbi të gjitha — ju të diplomuar, mirë se erdhët në ceremoninë më të bukur të vitit.

Sot nuk është thjesht një ditë feste. Është një udhëtim i mbyllur me dinjitet, dhe një udhëheqje e re që sapo fillon.

Sot është dita kur ëndrrat, orët e gjata të studimit, sfidat, zgjedhjet dhe ambicia marrin formë — dhe kthehen në histori suksesi.

Universiteti Luarasi është sot një ndër institucionet më të besuara dhe më moderne të arsimit të lartë në vend, një universitet që investon në cilësi, në ide të reja, në partneritete ndërkombëtare dhe në formimin e profesionistëve që nesër do të ndryshojnë Shqipërinë.

Por mbi të gjitha, Luarasi investon tek njeriu.

Tek njeriu i lirë, i aftë, i guximshëm — te ju, studentët tanë, që sot bëheni alumni dhe ambasadorë të vlerave tona.

Të dashur të diplomuar, ju sot nuk merrni vetëm një diplomë.

Ju merrni përgjegjësi.

Merrni besimin që do të ecni drejt me dinjitet dhe mendje të hapur, dhe merrni me vete mësimin se suksesi ndërtohet me karakter, jo me rastësi.

Sot festojmë arritjen tuaj.

Sot festojmë rrugëtimin tuaj.

Sot festojmë Luarasin që rritet bashkë me ju.

Ju përgëzoj nga zemra.

Urime dhe mirë se erdhët në ceremoninë e diplomimit të Universitetit Luarasi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb