Situatë alarmante u krijua më parë gjatë ditës në aksin rrugor Qukës – Qafë Plloçë ku një masiv mali u shkëput dhe bllokoi tërësisht rrugën.

Ajo që është e paprecedentë, është se një gjë e tillë ndodh në një aks i cili ka kushtuar 260 milionë euro, dhe i cili zgjati 16 vite për të përfunduar, duke u inauguruar përfundimisht vetëm dy muaj më parë, në fillim të muajit shtator.

Mbi ngjarjen ka reaguar Autoriteti Rrugor Shqiptar, ku në një postim në rrjetet sociale, ka gjetur e dhe “fajtorin” e skandalit. Sipas ARRSH fajin e ka moti i keq, çka normalisht duket të ishte parashikuar dhe aksi duhej të ishte ndërtuar me parametra që të mos prishej me reshjet e para të shiut.

Postimi i ARRSH:

Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin kanë shkaktuar çarjen e skarpatës dhe rënien e gurëve në trup të rrugës në km 35 të aksit Qukës-Qafë Plloçë.

Grupet e punës të ndodhura në terren, po bëjnë vlerësimin e situatës dhe kanë marrë të gjitha masat për krijimin e një bypass-i të përkohshëm me qëllim devijimin e trafikut në këtë segment, duke shmangur rrezikun ndaj përdoruesve të rrugës.

I gjithë aksi është i hapur, i aksesueshëm pa probleme dhe në monitorim të vazhdueshëm.
Autoriteti Rrugor Shqiptar iu bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve, ulni shpejtësinë, mbani distancën e sigurisë dhe shmangni frenimet e papritura

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb