Në një komunikim të drejtpërdrejtë në emisionin “Studio24” në News24, Adriana Kalaja ka dhënë detaje të reja në lidhje me procedimin penal që SPAK ka regjistruar ndaj Belinda Ballukut dhe Ceno Klosit, pas kallëzimeve të depozituara prej saj.
Kalaja deklaroi se akuzat që ka ngritur bazohen në dokumente zyrtare që, sipas saj, “shumicën e të cilave m’i kanë sjellë vetë socialistët e ndershëm”. Ajo tha se këto dokumente kanë shërbyer si bazë për kallëzimet e saj të njëpasnjëshme ndaj zyrtarëve të lartë.
Sipas Kalasë, një nga kërkesat kryesore në kallëzim ka qenë hetimi pasuror, për shkak se “janë evidentuar shkelje dhe problematika në raport me pasuritë dhe paratë e dyshuara si produkt i korrupsionit”.
Një tjetër pikë e rëndësishme e kallëzimit, sipas saj, është kërkesa për pezullimin nga detyra të zyrtarëve të kallëzuar. Kalaja argumentoi se, bazuar në ligj dhe në përsëritjen e veprave penale që ajo pretendon se janë kryer, Balluku mund të përbënte rrezik për tjetërsimin apo dëmtimin e provave dhe, për shkak të funksionit politik, mund të ushtronte presion mbi dëshmitarët.
Kalaja solli gjithashtu në vëmendje një tjetër çështje që ajo e konsideron “tender korruptiv”: projektin e parkut fotovoltaik në Seman, për të cilin pretendon se përfshin rreth 30 mijë metra katrorë. Sipas saj, kompanitë e përfshira nuk kanë aktivitet dhe kapital, ndërsa personat e caktuar si administratorë “janë anonimë në jetën publike”, gjë që ajo e cilëson si tregues të një skeme të dyshimtë korruptive.
Ajo shtoi se ka informacion se SPAK ka nisur edhe hetimin pasuror për Belinda Ballukun dhe Ceno Klosin, një proces që pritet të hedhë më shumë dritë mbi pretendimet e ngritura.
