Në kulmin e krizës, Liverpool gjen shpëtim në Champions, triumfon 0-1 në “San Siro” përballë Inter në një ndeshje e mbushur me raste dhe episode të kontestuar, ku gjyqtari i takimit dhe VAR u kthyen në protagonistë. Pas një ecurie perfekte, për ekipin e Chivu kjo ishte humbja e dytë radhazi në Champions, frenon në kuotën e 12 pikëve, po aq sa edhe Liverpool.
Të kuqtë e Slot ishin më kërkues, ku pas disa tentativave gjetën më në fund golin e avantazhit, ku në minutën e 32-të Konate me kokë dërgoi topin në rrjetë, por pasi rishikoi pamjet në VAR gjyqtari i takimit anuloi gjithçka për prekje të topit me dorë. Inter reagoi, ku në fundin e pjesës së parë, Martinez me kokë u ndal nga Alison. Rastet për shënim nuk munguan as në fraksionin e dytë, ku edhe Sommer kishte jo pak punë. Momenti më i diskutuar i këtij takimi erdhi në minutën e 84-ët, ku Wirtz reklamoi një penallti, pas një kontakti në zonë me Bastonin. Gjyqtari i takimit, pasi rishikoi pamjet në VAR akordoi penallti në favor të Liverpool, një moment që solli protesta të shumta në radhët e ekipit zikaltër. Nga pika e bardhë, Szoboszlai u tregua perfekt duke kaluar të kuqtë në avantazh, gol që në fund rezultoi një 3-pikësh.
Nuk e priti mirë këtë humbje trajneri Chivu: “Më e drejtë do të ishte një barazim për atë që dy ekipet dhanë në fushë. Në fillim vuajtëm presionin e tyre, por më pas gjetëm rrugën e duhur për t’u rikthyer në lojë. Në fund erdhi ai episod që na hoqi nga duart pikët. Nuk dua të komentojë vendimin e arbitrit, nuk jam një tip i tillë”, u shpreh Chivu.
“Inter nuk shkon, Liverpool kalon me një penallti”, shkruan La Gazzetta dello Sport. “Humbje e shëmtuar. Inter humbet tre herë, ndeshjen, Calhanoglu dhe Acerbin”, ishte titulli kryesor i Corriere dello Sport.
