TIRANE- Presidenti Nishani ka uruar sot Presidentin Hollande me rastin e Festës Kombëtare të Francës, Ditës së Bastijës. Me anë të një mesazhi urimi, Nishani pohoi se Franca inkurajim për përkushtim ndaj reformave. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të Republikës Franceze, François Hollande në të cilin shkruhet:

“I nderuar Zoti President,
Me rastin e Festës Kombëtare të Francës, Ditës së Bastijës, kam kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, të përcjell për Ju dhe të gjithë qytetarët francezë, urimet më të ngrohta e të përzemërta.

Përfitoj nga rasti që, në këtë ditë të shënuar për vendin tuaj, të shpreh mirënjohjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve për mbështetjen që Franca i ka dhënë ndër dekada. Konstatoj me shumë kënaqësi se marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona, janë zgjeruar më tej dhe kanë marrë dimensione të reja në kuadrin e proceseve integruese euroatlantike.

Mesazhet tuaja gjatë Konferencës së Parisit, për vijimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, na inkurajojnë më shumë për vijimin me vendosmëri e përkushtim në rrugën e reformave të thella, pasi Shqipëria e konsideron integrimin në Bashkimin Evropian si alternativën e vetme dhe objektivin e saj më madhor. Me urimet më të mira për Ju dhe vendin tuaj, ju lutem pranoni Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.”, citohet në mesazhin e Nishanit.
(ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: