Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar buxhetin 2026 me vlerë 400 mln euro, pa praninë e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Në mbledhjen e ditës së sotme kryetarja e komanduar e bashkisë, Anuela Ristani. tha se në buxhetin e 2026, të ardhurat totale parashikohen në 39.2 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet planifikohen të balancuara me këto të ardhura.
“Pesha kryesore shkon për pastrimin e qytetit (25%), Transportin Publik (11%), dhe Arsimin Bazë (9%). ”, tha ajo.
Ajo tha se në fokus të veçantë do të jenë zgjerimi i infrastrukturës, zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm, politika sociale dhe mjedisore, si dhe ndërtimi i një qyteti me standarde europiane jetese.
“Projekt-Buxheti Afatmesëm 2026–2028 është një dokument i përgjegjshëm, financiarisht i qëndrueshëm dhe i orientuar qartë drejt investimeve, shërbimeve publike dhe mbrojtjes sociale. Ai garanton vazhdimësinë e transformimit të Tiranës dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë.
Orientimi afatgjatë i Bashkisë Tiranë mbështetet në tre drejtime strategjike kryesore:zgjerimi dhe përmirësimi i infrastrukturës publike, si në nivel kapilar në lagje, ashtu edhe në zonat e reja të zhvillimit urban;zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm, i balancuar me politika sociale dhe mjedisore, që nxisin punësimin, sipërmarrjen dhe ekonominë lokale;ndërtimi i një qyteti me standarde europiane jetese, një qytet i gjelbër, gjithëpërfshirës dhe i përgatitur për sfidat klimatike dhe sociale të së ardhmes”, u shpreh më tej Ristani.
29 amendamentet e opozitës nuk u hodhën fare në votim, ndërkohë që Partia Demokratike hodhi dyshime për legjitimitetin e këtij procesi.
“A e ka Ristani kompetencën për të firmosur, duke mos qenë kryetare e zgjedhur por e urdhëruar?”, pyeti Ilir Alimehmeti.
“Kemi për detyrë ta dorëzojmë. Çështjet mund të jenë të drejta, por s’jam autoriteti i duhur ta jap përgjigjen. Do ishte shkelje nëse nuk e dorëzoja një draft”, iu përgjigj Anuela Ristani.
“Ne vërtetë kemi 60% zbatim dhe kjo dihet pse ka ndodhur, pasi duke mos lejuar kryetarin të bëjnë detyrën në mënyrë të padrejtë, dhe ata që e kanë nisur këtë proces nuk po dinë ti japin drejtim. Pasoja është 40% e buxhetit 2025 nuk është realizuar vetëm për shkak të mungesës së Veliajt, pra ka çaluar shërbimi ndaj qytetarëve”, tha Eridian Salianji.
