Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka folur për mediat pas përfundimit të mbledhjes së sotme të Këshillit të Mandateve, lidhur me kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.
Sipas Bardhit, provat e paraqitura nga SPAK do t’u shpërndahen të gjithë deputetëve të Këshillit të Mandateve. Ai theksoi se mazhoranca kishte mbajtur qëndrim se nuk kishte nevojë që provat të merren, ndërsa prokuroria kishte deklaruar se nuk ka asnjë pengesë ligjore për shpërndarjen e tyre.
“Mazhoranca kërkoi një muaj kohë për shqyrtim. Kjo është tallje me procesin. Po mbrojnë një të pandehur dhe po i japin kohë Ballukut dhe Ramës për të prishur provat dhe për të intimiduar dëshmitarët,” deklaroi Bardhi.
Ai solli si krahasim rastin e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, për të cilin, sipas tij, kishte rreth 15 mijë faqe materiale dhe iu lanë vetëm 48 orë kohë për shqyrtim. Bardhi tha se SPAK ka këmbëngulur se edhe çështja e Ballukut është urgjente, duke argumentuar se ajo po intimidon dëshmitarët.
“Një person që shkoi në prokurori dhe tregoi të vërtetën është intimiduar nga e pandehura Balluku. Nuk mund t’i japim kohë që të intimidojë të gjithë dëshmitarët. Ajo nuk ka më shumë të drejta se çdo deputet tjetër, të cilëve u janë dhënë 48 deri në 72 orë në raste të ngjashme,” u shpreh Bardhi.
Sipas tij, prokuroria ka vlerësuar se tre ditë janë të mjaftueshme për shqyrtimin e materialeve, me një maksimum prej pesë ditësh, dhe ka kërkuar që procesi të përmbyllet sa më shpejt.
Bardhi paralajmëroi se opozita do të kërkojë thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit, duke akuzuar mazhorancën se po e zvarrit qëllimisht procesin. “Ata kërkojnë dy javë kohë vetëm për të shkruar raportin e Këshillit të Mandateve. Me këto afate, çështja shtyhet për në fund të shkurtit,” tha ai, duke shtuar se deri atëherë, sipas tij, “provave dhe dëshmitarëve do t’u jetë bërë dëm i pariparueshëm.”
“Nuk mund t’i japim kohë që të intimidojë gjithë dëshmitarët, por ajo nuk ka më shumë të drejta se asnjë deputet tjetër që kanë marrë nga 48 deri 72 orë kohë në këto raste. E pandehura mund të thotë dua edhe bakllavanë, edhe gjelin e detit, edhe të intimidoj dëshmitarë edhe të gris fletët. Prokuroria tha se 3 ditë mjaftojnë, por maksimumi mund të jetë 5 ditë dhe kërkuan të përmbyllet gjithë procesi. Ne do kërkojmë një sesion të jashtëzakonshëm të Kuvendit, mazhoranca nuk e ka me ngut. Kërkojnë të merren dy javë kohë për të shkruar raportin e këshillit të mandateve. Me afatet që duan të ecin i bie që kjo të shqyrtohet në fund të muajit shkurt. Deri në shkurt Belinda ka ngrënë bakllavanë, gjelin e detit, dëshmitarët edhe provat”, tha ai.
