Nga Franci Nuri
Këshilltar i Grupit Parlamentar të PD
Drejtues i Departamentit të Drejtësisë në PD
Skandali i verërave ultra luksoze që dyshohet se konsumohen në rrethin më të ngushtë të pushtetit të Ramës, nuk është një episod periferik dhe as një kuriozitet mondan për rubrikat rozë të medias.
Ai është një simptomë politike. Një shenjë e qartë e një pushteti që prej kohësh ka humbur kontaktin me realitetin shoqëror, moral dhe ligjor të Shqipërisë.
Deklaratat publike të ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, të cilat në kohën kur u bënë u trajtuan nga shumëkush si ekzagjerime apo retorikë hakmarrëse, sot marrin një kuptim krejt tjetër.
Kur flitet për kantina të bllokuara me shishe vere që në tregun ndërkombëtar vlejnë miliona euro të sekuestruara (që më pas çuditërisht i shpëtojnë doganave/policisë), nuk kemi më të bëjmë me hamendësime, por me një tablo që flet për krime serioze shtetërore.
Por problemi nuk qëndron vetëm tek verërat dhe luksi. Luksi është vetëm maja e ajsbergut. Ajo që e bën këtë situatë të rrezikshme për demokracinë është mënyra se si pushteti i Edi Ramës sillet përballë drejtësisë, veçanërisht në momentin kur hetimet prekin PS dhe rrethin e tij më të afërt të bashkëpunëtorëve.
Reagimi i sotëm publik i Edi Ramës ndaj kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku është një pikë kthese e madhe.
Për herë të parë, presioni ndaj drejtësisë nuk fshihet më pas deklaratave të përgjithshme, por artikulohet hapur: shumica qeverisëse mund të mos e marrë fare në shqyrtim kërkesën e prokurorëve. Ky nuk është më interpretim politik. Është deklarim force. Rama i ka hapur luftë Drejtësisë në momentin kur ajo po i afrohet më shumë se kurrë.
Në çdo shtet funksional, kërkesa e një prokurorie të posaçme për masa sigurie ndaj një zyrtari të lartë do të trajtohej me seriozitet maksimal dhe me respekt ndaj ndarjes së pushteteve. Në Shqipërinë e sotme, përkundrazi, Kryeministri del publikisht dhe vë në dyshim legjitimitetin e SPAK, motivet e prokurorëve dhe kohën e hetimit, duke e paraqitur drejtësinë si një aktor politik që “ngutet”.
Kjo sjellje nuk është e rastësishme. Ajo tregon frikën e Edi Ramës. Tregon ndërgjegjësim se fijet e hetimit nuk ndalen te një emër i vetëm. Dhe mbi të gjitha, tregon se pushteti aktual është i gatshëm të shkojë deri në fund e të shkatërrojë çdo gjë, për të mbrojtur pushtetin dhe rrethin e tij të oborrtarëvr, edhe nëse kjo do të thotë shkelje e rregullave themelore të demokracisë.
Kjo situatë më kujton në mënyrë të pashmangshme Monarkinë Absolute në Francë, në vitet e fundit para rënies së regjimit, nga Revolucioni i 1789-ës. Edhe atëherë, pushteti jetonte në luks ekstrem, i shkëputur totalisht nga realiteti i popullit dhe qytetarëve, i rrethuar nga një oborr besnikësh, servilash dhe klientësh. Edhe atëherë, drejtësia dhe ligji ishin instrumente të vullnetit të sovranit, jo mekanizma të pavarur. Edhe atëherë, sundimtarët besonin se pushteti i tyre ishte i përjetshëm. Madje besonin se ishin të dërguarit e Zotit në tokë.
Anekdota e famshme e Mbretëreshës Marie Antoinette, e cila thuhet se u shpreh “atëherë le të hanë briosh”, kur u informua për zemërimin e popullit të uritur i cili nuk kishte bukë të hante, mbetet simboli më i qartë i kësaj shkëputjeje të pushtetit absolut nga realiteti i popullit të vet. Sot, “brioshi” nuk është më një ëmbëlsirë. Është vera « Romanee-Conti », vera « Petrus » dhe gjithë simbolika e një elite politike dhe kriminale që jeton në një botë tjetër, ndërsa qeveris një shtet që kërkon llogaridhënie.
Por ndryshimi thelbësor është ky: në një republikë moderne, askush nuk ka të drejtë të vendosë veten mbi ligjin. As Kryeministri. As zëvendëskryeministrja. Asnjë shumicë parlamentare. Refuzimi i miratimit të kërkesave të arrestit të SPAK nga kjo mazhorancë, do të ishte jo thjesht një akt politik, por një precedent i rrezikshëm që minon tashmë themelet e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Sjellja e mazhorancës në Komisionin e Mandateve, përpjekjet për të bllokuar aksesin e opozitës në dosjen e SPAK, relativizimi publik i rrezikut për prishje provash dhe intimidim dëshmitarësh në rastin Balluku, të gjitha këto janë pjesë e të njëjtit skenar: mbrojtja e pushtetit me çdo kusht dhe çdo çmim.
Por historia na mëson se pushtetet nuk bien sepse opozita i sulmon, por sepse humbin masën, arsyen dhe ndjenjën e kufirit. Kur pushteti fillon të sillet si pronar i institucioneve dhe jo si administrator i përkohshëm i tyre, fundi i tyre është vetëm çështje kohe.
Sot, 35 vite pas Dhjetorit ‘90, Shqipëria ndodhet përballë një tjetër prove serioze. Ose drejtësia do të lejohet të bëjë punën e saj ndaj krimeve të këtij pushteti dhe krimet e kësaj mazhorance, ose vendi do të largohet gjithnjë e më shumë nga Europa dhe SHBA, por do të rrëshqasë drejt një shteti autoritar, si Rusia apo Bjellorusia, ku ligji i nënshtrohet vullnetit të një njeriu dhe rrethit të tij të oborrtarëve!
Pikërisht për këtë arsye, reagimi qytetar është jo vetëm i ligjshëm, por i domosdoshëm. Demokracia nuk mbrohet vetëm në sallat e gjyqeve, por edhe në sheshe, me zë, me prani dhe me dinjitet.
Ndaj pjesëmarrja masive qytetare dhe protesta e qëndrueshme janë instrumente legjitime për të mbrojtur shtetin e së drejtës. Ato janë vetë demokracia në veprim.
Sepse historia ka treguar se pushtetet që pijnë verë si mbretër dhe sfidojnë drejtësinë si sundimtarë, herët a vonë përballen me gjykimin e shoqërisë dhe të historisë. Dhe ky gjykim fillon gjithmonë me zërin e qytetarëve.
Ndaj të gjithë duhet të dalin nesër 22 Dhjetor, ora 18.00 përpara Kryeministrisë, t’i tregojmë Botës që edhe Shqiptarët dinë të protestojnë si Europianë të vërtetë!
