Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, në një konferencë të përbashkët me kryedemokratin Sali Berisha, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit nga hetimet e SPAK, duke akuzuar drejtues të lartë të qeverisë për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar.
Sipas Bylykbashit, hetimet po konfirmojnë denoncimet e bëra prej kohësh nga opozita. “Hetimet po provojnë që Balluku është zëvendëskryeministrja për korrupsionin e organizuar, ndërsa Agasi rezulton të jetë zëvendëskryeministri i krimit të organizuar”, u shpreh deputeti demokrat.
Ai theksoi se ajo që po del në pah sot nga hetimet e SPAK nuk është e re për Partinë Demokratike. “Nuk është asgjë tjetër veçse ajo që ne e kemi denoncuar më herët. Kemi vazhduar ta themi dhe sot provat janë përtej asaj që thotë PD”, deklaroi Bylykbashi.
Në vijim, deputeti i PD-së akuzoi mazhorancën socialiste se qëndrimet dhe votat e deputetëve të saj tregojnë lidhjen mes pushtetit politik dhe krimit. “Mjafton të ndiqen votat e deputetëve të PS për të gjetur bashkë krimin, mafien dhe Edi Ramën”, përfundoi ai.
