Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme këtë të diel, pas një viti krize politike që erdhi si pasojë e pamundësisë së Albin Kurtit për të ndërtuar qeverinë nga zgjedhjet e kaluara. Një fakt formal, por që nuk e rrëzon figurën e tij politike. Përkundrazi, e nxjerr edhe më qartë në pah.
Albin Kurti hyn në këto zgjedhje si lideri më i kundërshtuar, më i sulmuar, por kurrë i anashkaluar. Nuk ka debat serioz për Kosovën, ku emri i tij të mos jetë në qendër. Nuk ka tryezë rajonale ku të mos konsiderohet faktor. Dhe nuk ka lider tjetër në hapësirën shqiptare që të ketë krijuar një profil kaq të fortë politik, përtej pushtetit formal.
Në një rajon ku pothuajse çdo lider është shoqëruar ndër vite nga akuza për afera korruptive, lidhje klienteliste apo hetime të hapura e të mbyllura në heshtje, Albin Kurti përbën një përjashtim. Ai mbetet lideri më i papërfolur për afera personale apo skandale financiare, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë Ballkanin. Kjo nuk është rastësi, por pasojë e një profili politik që ka refuzuar sistematikisht pazaret, kompromiset e errëta dhe aleancat e ndërtuara mbi interesa të dyshimta. Pikërisht ky integritet personal e ka bërë Kurtin të besueshëm për një pjesë të madhe të opinionit publik dhe njëkohësisht të papërshtatshëm për një sistem të mësuar me liderë të kapur nga afera.
Kriza e vitit të fundit nuk ishte thjesht krizë e Kurtit. Ishte krizë e një sistemi që nuk u përshtat dot me një lider që nuk bën kompromise të lehta, që nuk ndërton shumica me pazare të errëta dhe që refuzon të qeverisë për hir të pushtetit. Në një rajon ku stabiliteti shpesh blihet me heshtje dhe lëshime, Kurti zgjodhi përplasjen e hapur dhe qëndrimin frontal. Ai mbetet figura politike që ka ndryshuar gjuhën e pushtetit në Kosovë. Ka vendosur sovranitetin dhe dinjitetin në qendër të diskursit, edhe kur kjo ka pasur kosto. Ka sfiduar ndërkombëtarët, kur ka menduar se kërkesat e tyre cenojnë interesin e vendit. Ka pranuar izolimin politik si çmim për koherencën e brendshme. Dhe pikërisht këtu qëndron arsyeja pse mbetet lideri më i diskutuar: sepse nuk është i parashikueshëm dhe nuk është lehtë i menaxhueshëm.
Zgjedhjet e së dielës nuk janë vetëm një votë për qeverisjen. Janë një referendum për një stil lidershipi që ose e pëlqen, ose e refuzon, por nuk e injoron dot.
Albin Kurti hyn në garë jo si produkt i krizës, por si simbol i saj dhe njëkohësisht si alternativa që vazhdon të trazojë ujërat politike në Kosovë dhe më gjerë.
