Protesta e drejtuar nga Adriatik Lapaj shënoi një moment kulmor në këtë fillim viti me vendosjen e çadrave në bulevard, përballë Kryeministrisë. Pas përpjekjeve të përsëritura, tensionesh dhe përplasjesh, çadrat e qëndresës qytetare u ngritën më në fund aty ku pushteti nuk mund t’i shmangë dot, përballë vetes.
Ato nuk janë thjesht disa struktura të përkohshme. Janë simbol i një qytetarie që refuzon heshtjen, që kërkon llogari çdo ditë për aferat, korrupsionin dhe arrogancën e pushtetit.
Vendosja e çadrave përballë Kryeministrisë tregon se qytetarët nuk kërkojnë më të dëgjohen nga larg, por të shihen në sy. Është një mesazh se demokracia është kontroll dhe presion qytetar ndaj qeverisë.
Kjo protestë rikthen në qendër të vëmendjes një të vërtetë të thjeshtë, por shpesh të harruar; pushteti është i përkohshëm, llogaridhënia është e përhershme. Dhe sa herë që qytetarët gjejnë guximin për ta kujtuar këtë, demokracia merr frymë.
