Ndërsa SPAK ka kërkuar zyrtarisht heqjen e imunitetit për arrestimin e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, në institucionet që varen prej saj po merren vendime me kosto të lartë financiare. Vetëm pak ditë pas emërimit të Ami Kozelit në krye të Autoritetit Rrugor Shqiptar, janë hapur me shpejtësi katër tendera të rinj me vlerë dhjetëra milionë euro.
Tenderi i parë ka të bëjë me të ashtuquajturin “arredim dhe rikualifikim urban” të superstradës Tiranë-Durrës, nga Faza I deri në Fazën III.
Për punime që përfshijnë kryesisht vijëzime dhe sinjalistikë horizontale e vertikale, fondi limit është rreth 1.4 miliardë lekë, ose afro 15 milionë euro. Kjo ndodh pavarësisht se për ndërtimin e këtij aksi janë shpenzuar më parë mbi 75 milionë euro në disa lote të ndryshme.

Dy tenderë të tjerë janë hapur për ndërtimin e rrugës lidhëse Tiranë-Elbasan me Korridorin e tetë. Për fazën e parë është parashikuar një fond mbi 35 milionë euro, ndërsa për fazën e dytë rreth 25 milionë euro të tjera. Në total, për Unazën e Elbasanit janë akorduar mbi 60 milionë euro, në një zonë që prej vitesh konsiderohet një nga nyjet më problematike të trafikut në vend.

Tenderi i katërt lidhet me aksin Kashar-Nyja Vaqarr, faza e tretë. Për këtë segment është parashikuar një fond prej rreth 16 milionë eurosh, ndërkohë që për dy fazat e mëparshme janë shpenzuar dhjetëra miliona euro të tjera. Edhe në këtë rast, procedura është hapur me shpejtësi, duke ngritur dyshime mbi arsyet e urgjencës.

Hapja e këtyre katër tenderëve vjen në një moment delikat, kur ministrja përgjegjëse është nën hetim dhe SPAK ka kërkuar autorizim për masa më të rënda sigurie, çka ka shtuar pikëpyetjet mbi transparencën, prioritetet dhe kontrollin institucional mbi fondet publike.
