Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë dhe njëherazi Kryetar i Grupit të saj Parlamentar, Tedi Blushi, ka reaguar nga tregu i shkrumbuar te “5 Maji” në Tiranë, duke e cilësuar situatën si apokaliptike dhe duke akuzuar institucionet shtetërore për reagim të vonuar dhe mungesë koordinimi.
Blushi tha se operacioni për shuarjen e zjarrit ishte i vonuar dhe se kjo ngjarje mund dhe duhej të ishte parandaluar. Sipas tij, infrastruktura e zonës dhe kaosi urban janë pasojë e një “masakre urbane” të kryer nga Bashkia e Tiranës, pasojat e së cilës po i vuajnë sipërmarrësit e vegjël që humbën gjithçka në flakë.
Ai kritikoi ashpër atë që e quajti “show propagandistik” të Ministres së Brendshme dhe mungesën e shpjegimeve nga Bashkia e Tiranës për mosfunksionimin e infrastrukturës së nevojshme, veçanërisht furnizimin me ujë për mjetet zjarrfikëse. Blushi theksoi se forcat në terren ishin të pakoordinuara, duke përmendur edhe raste ku është hedhur ujë në objekte të pabanuara, ndërkohë që bizneset digjeshin.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë ngriti dyshime se zjarri mund të ketë qenë i qëllimshëm, duke iu referuar precedentëve të mëparshëm në Tiranë, ku sipas tij, zjarret janë përdorur për t’i hapur rrugë ndërtimeve. Ai deklaroi se disa sipërmarrës dyshojnë se insistimi i tyre për të mos liruar ambientet ka sjellë si pasojë zjarrvënien.
Blushi e vendosi këtë ngjarje në kontekstin e një situate më të gjerë emergjente në vend, duke përmendur përmbytjet dhe katastrofat natyrore në disa qytete si Vlora, Durrësi dhe Gjirokastra. Ai shprehu solidaritetin e plotë me tregtarët e prekur dhe u zotua se Partia e Lirisë do të bëjë gjithçka për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Në përfundim, Blushi paralajmëroi kallëzim penal në rast se në këtë zonë do të jepet leje ndërtimi, duke theksuar se përgjegjësinë direkte e mban Kryeministri Edi Rama, si autoriteti që sipas tij miraton lejet e ndërtimit. Ai deklaroi se askush nuk duhet të përfitojë mbi sakrificat dhe pasurinë e sipërmarrësve të vegjël, të cilët kanë respektuar detyrimet ndaj shtetit.
