Bravaldi Xhafka, sekretari organizativ i degës së Partisë Demokratike në Korçë, ka bërë thirrje për ringritjen e PD-së, gjatë një takimi të zhvilluar në kuadër të foltores së Ervin Salianjit. Në fjalën e tij, Xhafka theksoi se demokratët nuk janë mbledhur kundër Partisë Demokratike, por për ta shpëtuar dhe për t’i rikthyer identitetin e saj.

Ai deklaroi se PD nuk po funksionon siç duhet dhe se shumë demokratë janë lënë mënjanë, pavarësisht kontributit të tyre ndër vite. Sipas Xhafkës, partia nuk është pronë e askujt, por u përket anëtarëve dhe mbështetësve të saj.

“Mirë se erdhe në Korçën e zemrës zoti Salianji. Jemi këtu sepse PD nuk është siç duhet. Ka njerëz dhe demokratë të lënë mënjanë. PD nuk është pronë e askujt, por është e juaja. Janë ata që nuk kanë marrë asgjë, por nuk janë larguar nga PD. Janë ata që humbjet i kanë përjetuar si plagë personale”, u shpreh ai.

Xhafka theksoi se meritokracia duhet të jetë themeli i ringritjes së partisë, duke nënvizuar se ajo nuk është një koncept luks, por kusht i domosdoshëm për fitore. Ai kritikoi servilizmin brenda strukturave partiake, duke thënë se në këto kushte PD nuk mund të kërkojë besimin e qytetarëve.

“Jemi këtu sepse PD nuk është siç duhet. Kemi njerëz të lënë mënjanë, demokratë të lënë mënjanë. PD nuk është pronë e askujt, por është e juaja. Janë ata që nuk kanë marrë asgjë, por s’janë larguar nga PD. Janë ata që humbjet i kanë përjetuar si plagë personale. Ne kemi nevojë për një PD që hapet nga besimi. Meritokracia nuk është fjalë luksi, por kusht për fitore. Nuk mund të kërkosh votën e shqiptarëve, kur brenda nesh ekziston servilizmi. Ky takim nuk është kundër PD-së, por për ta shpëtuar PD-në. Për sa vjet duhet të kalojë që të jetë momenti i duhur? PD nuk është krijuar për të qenë e qetë. Unë nuk pranoj që Korça të jetë bastion i humbjes. Ne nuk jemi parti muze, por shpresa e shqiptarëve. PD ka lindur për të fituar dhe jo për të qëndruar te fasada.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb