Autoritetet ruse kanë nisur një hetim penal pas vdekjes së 9 të porsalindurve gjatë këtij muaji në një maternitet në Siberi, njoftuan zyrtarët të hënën. Komiteti Hetimor Shtetëror bëri të ditur se dyshohet për vepra penale që lidhen me neglizhencë dhe shkaktim vdekjeje nga neglizhenca, pa specifikuar ende se ndaj kujt janë përqendruar hetimet.

Sipas autoriteteve, hetuesit kanë sekuestruar dokumentacionin mjekësor në spitalin e qytetit Novokuznetsk dhe po kryejnë ekzaminime mjeko-ligjore për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjeve. Ndërkohë, stafi i spitalit është marrë në pyetje lidhur me veprimet ose mosveprimet e tyre. Guvernatori i rajonit njoftoi se mjeku kryesor i spitalit është shkarkuar nga detyra, si masë paraprake pas ngjarjes së rëndë.

Nga ana e tij, spitali deklaroi në faqen zyrtare të internetit se ka pezulluar përkohësisht pranimin e pacienteve, për shkak të një shpërthimi të infeksioneve të frymëmarrjes, dhe se po zbatohen masa karantine për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të infeksionit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb