Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, ka bërë të qartë se tani nuk është koha për të diskutuar pavarësinë e ishullit dhe për të rrezikuar të drejtën e tij për vetëvendosje. Deklarata e tij vjen ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka theksuar se SHBA-të kanë një nevojë “jetike” për Groenlandën për arsye të sigurisë kombëtare.

Në një intervistë me shtypin lokal, disa orë para takimit të ministrave të jashtëm danezë dhe groenlandezë me senatorët J.D. Vance dhe Marco Rubio në Shtëpinë e Bardhë, Nielsen tha se “nuk ka ardhur koha për të folur për pavarësi. Kjo nuk është koha për të luajtur me të drejtën tonë për vetëvendosje, kur një vend tjetër thotë se do të na aneksojë”. Ai shtoi se Groenlanda mbetet pjesë e komunitetit të Mbretërisë së Danimarkës dhe do të qëndrojë pranë saj, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit në këtë situatë serioze.

Kryeministri shprehu shpresën se takimi në Uashington do të rivendosë “një dialog më të qetë dhe më të respektueshëm me Shtetet e Bashkuara”. Ai gjithashtu theksoi se, në një zgjedhje midis Danimarkës dhe SHBA-ve, Groenlanda do të zgjidhte Danimarkën, duke e konsideruar një çështje të ndjeshme dhe strategjike.

Nga ana e tij, Donald Trump nuk e ka përjashtuar mundësinë e marrjes së kontrollit mbi ishullin Arktik, duke theksuar rëndësinë e parimeve të rendit botëror. “Ne duhet të besojmë se parimet e demokracisë nuk do të shkelen. Nëse fillojmë të luajmë me këto parime, do të kemi problem jo vetëm në Groenlandë, por në të gjithë botën,” tha Nielsen. Përballë tensionit, Ministri danez i Mbrojtjes konfirmoi se po forcohet prania ushtarake e Danimarkës në Groenlandë dhe po zhvillohet një dialog i vazhdueshëm me NATO-n për të rritur praninë e aleancës në Arktik.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb