Nga Desada Sadiku, Vetting

Ish-ndërmarrjet shqiptare janë konsideruar dikur një nga krenaritë kombëtare të Republikës së Shqipërisë, sidomos gjatë kohës së regjimit komunist. Tanimë, të lëna në harresë si ajo e superfosfatit të Laçit apo uzina mekanike e naftës në Kuçovë, ato konsiderohen pika mjedisore të rrezikshme për shëndetin e komunitetit dhe qyteteve ku ato kanë lindur.

Të dhënat zyrtare njoftojnë se në këto rrënoja ende gjenden elementë të rrezikshëm, si bakri, arseniku, nafta, në sasi të konsiderueshme deri në mijëra tone mbetje kimike. Këta elementë deprëtojnë në nënshtresat ujore të tokës ku ato janë ngritur. Ndërtesat si fortesa të para si mbështetje ekonomike, tashmë janë godina me mure me myk, shembja e të cilave përgjatë viteve u ka marrë jetën shumë banorëve të zonës.

Raportet çdo vit sugjerojnë të vendosen shtresa mbrojtëse e pastrimi për këto ish-ndërmarrje. Po ashtu, është miratuar dhe një dokument, i cili merret me menaxhimin e mbetjeve, ngritur mbi një fond prej më shumë se 60 milionë eurosh. Megjithatë, në horizont, problemet vazhdojnë, mbetjet kimike ende rrezikojnë jetën e komuniteteve, fondet publike nuk duken dhe përgjegjësia pasohet sa në një institucion në një tjetër.

Ish-Uzina e Superfosfatit në Laç
Nëse udhëton nëpër qytetet që dikur kishin krenarinë e tyre ngritjen dhe zhvillimin e ndërmarrjeve si epitet ekonomie, tanimë këto qytete mbartin eshtrat e fundit të këtyre uzinave, duke pritur t’iu hidhet një sy pas një braktisjeje prej tre dekadash.

Një nga rastet është edhe ish-Uzina e Superfosfatit në Laç. “Lindur” në vitin 1967, kjo ndërmarrje e ktheu Laçin nga një fshat me popullsi të vogël, në një nga qytetet më të zhvilluara industriale të kohës së regjimit komunist. Dhe jo vetëm. Kjo lindje aktiviteti solli rritjen dhe zhvillimin e banorëve, qoftë në aspektin ekonomik, edhe në atë social-kulturor.

Inxhinierë, kimistë, ekspertë të ndryshëm erdhën nga jugu i Shqipërisë, ndërkohë që uzina ndërtohej dhe numri i vendeve të punës sa vinte dhe rritej. Puna u kthye në tre turne, në mënyrë që veprimtaria të mos pushonte në asnjë moment dhe çdo detyrë të kryhej me përpikmëri.

“Qyteti ishte përzgjedhur në mënyrë të studiuar sepse aty kryqëzoheshin edhe rrugët hekurudhore, edhe rrugët automoblisitike. Dhe të gjitha prodhimet industriale grumbulloheshin përmes transportit shumë lehtë në atë vend. Mirëpo nga një fshat me dy-tre banorë, u kthye në një qytet industrial ku banorët edhe jetonin, por edhe punonin pranë uzinës”, tha antropologu Alfred Halilaj. Ai shtoi më tej se uzina ishte e dëshiruar, për shkak se ishte dhe afër kryeqytetit, duke ofruar mundësi karriere.

Në pamje të parë të këtij qyteti të sapolindur prej krijimit të një uzine me teknologjitë më moderne të ardhur nga Kina, në atë kohë, faktikisht problemet sa kishin nisur.

“Tani probleme të përditshme domethënë, dihej që reparte të caktuara, sidomos gjithë uzina ishte e klasifikuar që kishte ndotje kimike. Aq më tepër, që në qoftë se flitet për pesticide, qoftë undicide, qoftë insekticide, dihet që vetë fjala acide dhe pesto pesë janë për të vrarë”, tha Magdalena Cara, ish-teknologia e Uzinës së Superfosfatit në Laç.

Në një eksperiencë dy-vjeçare në Kombinatin Metalurgjik të Laçit, prej vitit 1988-1990, ish-teknologia tregoi se aty prodhoheshin elementët kryesorë të bujqësisë siç ishte superfosfati pluhur, florosilikati i natriumit, sulfati i bakrit etj. Këto kimikate krijonin probleme në frymëmarrje, depozitime, kalcifikime në mushkëri.

“Unë kisha në atë kohë edhe vdekje në uzinë, punëtorë të vinçit që punonin te superfosfati pluhur, në moshën e 54-vjeçe ose 50 vjeçe. Kemi patur dy-tre vdekje me ato në uzinë, thjesht nga ekspozimet, që kishin këto punëtorë”, thotë më tej ish-teknologia Cara. Ajo shton se “antidoti” i vetëm që u jepej të gjithë stafit të uzinës ishte një gjysëm litri qumësht pluhur, i përzier me ujë, kinse për të larguar ekspozimet e kimikateve. “Aty ka qenë një, si të thuash, në kohën që unë kam punuar, ka qenë dhe piku i punës, por edhe piku i varfërisë në atë kohë.”

Ditët në kalendar iknin, koha kalonte dhe rënia e bustit të diktatorit, solli edhe rënien e ndërmarrjeve të mëdha. Ishte fillimi i viteve 2000, i cili shënoi mbylljen e Uzinës së Superfosfatit në Laç, duke lënë kështu shumë njerëz të papunë. Pas nuk u la vetëm kaq.

Hyrja e supozuar e kësaj sipërfaqeje prej 38 hektarësh, që dikur gumëzhinte nga puna 24 orarëshe, tashmë mbizotëron vetëm zhurma e makinave që kalojnë në rrugën ngjitur dhe heshtja e elementëve të cilët janë të rrezikshëm për shëndetin e komunitetit përreth. Këta elementë nuk janë larguar asnjëherë, që nga fillimi i uzinës e deri në gjendjen që është sot, duke rrezikuar jetën e njerëzve në një formë apo në një tjetër.

Një nga nënproduktet që prodhoheshin në uzinë ishte një lloj insekticidi, më saktë florosilikati i natriumit, që jashtë shtetit përdorej për industrinë kimike dhe kishte efekte mjaft toksike. Ndërkohë, që ekspertët bënin neutralizime me gëlqere për nivelet e larta të acideve, gëlqerja hidhej në kanalet e shkarkimit, duke qëndruar aktive dhe më pas duke shkaktuar probleme në frymëmarrje, dëmtime në lëkurë, sy etj.

Magdalena Cara shton se në atë kohë nuk i kushtohej shumë vëmendje ndërgjegjësimit të efekteve anësore, sidomos ato mjedisore. Më tej, ajo tregon një rast ku për vetëm një defekt tavani të rrezikshëm, të cilin ajo dhe ekipi i saj duhet ta ekzaminonin, ishin pajisur me maska kundragaz dhe kostume L1.

“Ju ndoshta s’e keni dëgjuar, por ka qenë një lloj kostumi i përdorur në ushtri, në zbor që ne bënim. Sidomos ne që ishim toga, duhej të ekspozoheshim ndaj kimikateve me kundragaz dhe imagjinojeni se sa e rrezikshme ishte kjo pjesë. Nuk kishte ndërgjegjësim për t’u mbrojtur por në ambiente të caktuara, që kishte pluhur, kishte substanca toksike, që do hyje për avari ose për të vlerësuar situatën, patjetër duhet të visheshe me të gjitha mjetet mbrojtëse, që ishin mjete mbrojtëse kundër lëndë helmuese luftarake se kjo ishte në atë kohë dmth”, rikujton ish-teknologia.

Ndërkohë, gjatë viteve, uzina filloi të degradohej. Këta gjigandë metalikë që dikur ishin strehë punësimi, në ditët e sotme, kanë mbetur rrënoja, mure me myk, shembja e të cilave nga momenti në moment vazhdon të rrezikojë jetët e banorëve.

Një në dy godina kanë gërmadha tullash dhe fije metalike të nxjerra, si pasojë e mbledhjes së skrapit, në këmbim të një vlere monetare. Në këto gërmadha kanë humbur jetën njerëz të komunitetit, të cilët shihnin si shpëtim për ta dhe familjet e tyre uzinën e lënë në harresë.

“Më pas, pas viteve ’90, më vonë që nuk përdorej më, personat që kanë shkuar për të tërhequr skrap, kanë mbetur viktima. Dhe kjo ka qenë një alarm që ne kemi ngritur disa herë dhe vazhdojmë ta ngremë akoma duke qenë se po të shkojsmë edhe sot në territorin e ish-Uzinës së Superfosfatit është lehtësisht e aksesueshme dhe çdo individ mund të hyjë aty, duke e lidhur këtë edhe me qasjen se komuniteti i Kurbinit relativisht është një komunitet i varfër”, ka thënë për “Vetting”, Elsa Sula, drejtoresha e Qendrës Rinore “Sebastia” në Laç.

Vetëm brenda 14 vitesh kanë humbur jetën pesë persona, si pasojë e shembjes së mureve mbi ta.
Në vitin 2004, familja Gjoka humbi kryefamiljarin e saj, duke nxjerrë hekur për shkak të kushteve ekonomike. Fatin e tij të keq e tërhoqi dhe djali i tij në vitin 2016. Ndërsa në vitin 2013, gërmadhat morën me vete dhe të riun 18-vjeçar Gjin Lleshajn, i cili që në atë moshë e kishte parë uzinën si një formë mbijetese për të dhe familjen e tij.

Viktimat më të fundit janë në vitin 2018, dy shokët Drilon Lamaj 27-vjeç dhe Dashamir Hajna 28-vjeç në atë kohë. Kushtet e vështira ekonomike, papunësia ishin elementë vdekjeprurës që gjenin një farë shprese te mbetjet metalike të ish-uzinës.

Rrezik për këtë komunitet nuk janë vetëm tullat dhe metalet për skrap, por edhe mbetjet e rrezikshme të lëna pas që pas mbylljes së uzinës. Në pjesë të ndryshme të uzinës shpesh gjenden vende pa bimësi, toka e të cilave ka një ngjyrë specifike, e cila të konfirmon se mbetjet e rrezikshme janë ende aty.

“Në mëngjeset që ka vesë dhe nga lagështia ndihet era e pestidicideve. Pra, kjo edhe në syrin e dikujt, si në rastin konkret timin, që nuk jam eksperte mjedisi e kuptoj që aty ka helme ose ka pesticide dhe është tokë e kontaminuar. Detaj tjetër është në ditët me shi, pellgjet që mbushen me ujë kanë një lloj ngjyrë specifike, që tregojnë se aty mund të ketë pesticide dhe mund të ketë edhe lëndë helmuese”, shton më tej drejtoresha e qendrës rinore.

Raportet Institucionale
I pari dhe i vetmi studim i tokës i kryer në këtë zonë është bërë në vitin 2000 nga Programi i Mjedisit i Kombeve të Bashkuara, ndryshe njohur si UNEP. Ky studim i përmendur edhe në Vlerësimin Mjedisor Strategjik të Bashkisë Kurbin të vitit 2016, e cilëson Uzinën e Superfosfatit dhe Fabrikën e Bakrit në Laç si “hot-spot”-e të problematikave mjedisore. Rezultatet e analizave të tyre evidentuan shfaqjen e elementëve të arsenikut dhe bakrit, të cilët mund të kontaminonin burimet e ujit të pijshëm, nëpërmjet ujërave të shiut.

Sipas tyre, vendgrumbullimi i mbetjeve është ngritur pa bërë ndonjë përgatitje paraprake të tokës, pa vendosur shtresë mbrojtëse të poshtme apo pa ndërtuar një sistem drenazhimi për të larguar infiltrimet.

Ata shtonin se akuiferi i sipërm dytësor i shtresës ujëmbajtëse mendohet të jetë i ndotur.

Po ashtu, mendohet se shtresat ujëmbajtëse nëntokësore rridhin drejt disa fushave me puse uji të pijshëm, që ndodhen në pjesën e poshtme të fabrikës. Ndërkohë, u zbulua po ashtu se toka përreth Fabrikës së Bakrit është e ndotur dhe e kontaminuar nga kimikate të ndryshme të cilat përdoreshin gjatë procesit të prodhimit si hekur, squfur, oksid metalesh, asbest etj. Ata e vlerësuan ndotjen në rreth 3100 ton të shpërndarë në gati 12 hektarë toke.

Ndërkohë, përgjatë 25 viteve të fundit, edhe pse ka patur raportime vdekjesh si pasojë e elementëve kimikë, por edhe të degradimit të uzinës, nuk ka patur informacione aktuale rreth gjendjes aktuale të ish-uzinës dhe të ish-ndërmarrjeve të tjetra, pasi po i njëjti studim është përdorur dhe nga institucionet shqiptare në raportet mjedisore të tyre.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka bërë të ditur se në Programin Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit për vitin 2025 se ish-Uzina e Superfosfatit në Laç ka rreth 60 kilogramë mbetje për përdorim laboratorik dhe 30 mijë ton mbetje hekuri. Shifër kjo e deklaruar edhe në Raportin e Gjendjes së Mjedisit për vitin 2021, i cili po ashtu shton se mbetjet janë të depozituara në zonën e fabrikës, e cila nuk ka përsëri asnjë sistem mbrojtës apo filtrimi të mbetjeve.

Këtë e mbështet edhe Raporti i Gjendjes Mjedisore për vitin 2024, i cili thotë se ende fabrikat dhe uzinat lëshojnë metale të rënda dhe kimikate të rrezikshme në ujërat sipërfaqësorë.

Dikur kjo ndërmarrje ishte nën pronësinë e Bashkisë Kurbin, por më vonë i kaloi përgjegjësia në Ministrinë e Financave. Nga ana tjetër, një Vendim i Këshillit të Ministrave i vitit 2013 vendosi që ndërmarrja t’i kalonte Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ekonomisë, duke e kthyer ish-uzinën në shoqëri në likujdim.

Ndërkohë, më 22 shkurt të vitit 2021 më parë, Qendra Rinore “Sebastia” me seli në Laç-Kurbin, ndërmorën përsipër një peticion kombëtar në lidhje me Fabrikën e Superfosfatit, ku ata i kërkonin Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ekonomisë hartimin e një plani të detajuar për demontimin e këtij objekti, ambalazhimin dhe zhvendosjen në një vend të sigurtë të mbetjeve të rrezikshme kimike, si dhe hartimin dhe zbatimin e një projekti rehabilitues për ish-Uzinën.

Deri më tani janë marrë 724 firma, por ende nuk ka patur një përmirësim të gjendjes së uzinës, duke lënë në pritje komunitetin. Ndërkohë, të rinjtë e Laçit shpesh kanë dhënë sugjerime se pas rehabilitimit dhe pastrimit të duhur, uzina të rikthehet në një hapësirë për aktivitete kulturore dhe turistike, si p.sh., përdorim për skena teatri, xhirime filmi, muze për të treguar jetën e atëhershme, apo edhe pikturimi i oxhaqeve të larta.

“Janë godina që flasin me heshtjen e tyre dhe duhet që shteti të ndërhyjë që ajo heshtje të bëjë zë, të rrëfejë dhe pse jo, të rikthehet në funksion të banorëve, tanimë në një kontekst tjetër historik dhe kulturor”, thotë antropologu Alfred Halilaj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb