Java e Premier League dhuroi emocione dhe rezultate të rëndësishme si në garën për titull ashtu edhe në luftën për zonat europiane. Në qendër të vëmendjes ishte Derbi i Mançesterit, ku Manchester United triumfoi 2-0 ndaj Cityt në “Old Trafford”, duke forcuar ndjeshëm shanset për një vend në Champions. Pas dy golave të anuluar në pjesën e parë, “Djajtë e Kuq” gjetën avantazhin në minutën e 65-të me Mbeumo, përpara se Dorgu të vuloste suksesin me golin e dytë. City mbetet në 43 pikë dhe vazhdon një moment të vështirë, me Guardiolën ende pa fitore në vitin 2026. Ndërkohë kjo ishte nisja perfekte në rikthimin e Carrick në pankinë tek “Djajtë”, që e nis kështu me një sukses bindës ndaj rivalit të qytetit.
Ngadalëson edhe Arsenali, që nuk arrin të shfrytëzojë plotësisht ndalesën e Cityt dhe ndalet në barazimin e dytë radhazi 0-0, këtë herë ndaj Nottingham Forest. Skuadra e Artetës dominoi lojën dhe krijoi raste të shumta, por pa gjetur golin, duke u ngjitur në 50 pikë dhe ruajtur avantazhin prej shtatë pikësh ndaj Cityt.
Hap fals edhe për Liverpoolin, që barazoi 1-1 në “Anfield” ndaj Burnleyt të Armando Brojës. Sulmuesi shqiptar u aktivizua për 74 minuta. Reds humbën një penallti me Szoboszlai në minutën e 32, por 10 minuta më vonë, kaluan në avantazh me Wirtz. Megjithatë Burnley shkaktoi befasinë, teksa ndëshkoi në pjesën e dytë “The Reds” nga goli i Edwards. Me këtë rezultat Liverpooli shkon në 36 pikë, vetëm një më shumë se Manchester United, ndërsa Burnley merr një pikë të vlefshme në luftën për mbijetesë.
Fitore bindëse regjistroi Chelsea, që mposhti 2-0 Brentfordin në “Stamford Bridge”. Joao Pedro zhbllokoi rezultatin në pjesën e parë, ndërsa Cole Palmer vulosi suksesin nga pika e bardhë në minutën e 76-të. Blues ngjiten në 34 pikë dhe përforcojnë pozitat në zonën europiane, duke lënë pas Brentfordin.
