Kryetari i PD, Sali Berisha hodhi akuza për call center-at që operojnë nga Tirana, duke iu referuar operacionit të SPAK në disa objekte shumëkatëshe në kryeqytet, i zhvilluar ditët e fundit.

Teksa dilte nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme ku ndodhej në zbatim të masës detyrim paraqitje, Berisha tha janë 200 sipërmarrje call center-ash të cilat sipas tij drejtohen nga Olsi Rama dhe Amant Josifi.

Kryedemokrati shtoi gjithashtu se vetëm në njërin prej call center-ave të kontrolluar nga SPAK, në bazë të hetimit rezultoi se vidheshin të paktën 30 mln euro në muaj, me mashtrim.

Sali Berisha: Doni të dini se ç’pashë aty unë? Call-center. Kishin hapur një call-center. Forex. Komandonte Altin Troplini. Dështuan operacionin dyvjeçar, nuk e dështuan plotësisht se nuk arritën, por dekonspiruan operacionin dyvjeçar të një grupi gazetarësh hetimorë ndër më të shkëlqyerit në Europë. Ky treg është një nga tregjet më kriminale në Ballkan, në Europë dhe në botë.

Janë dyqind sipërmarrje, të cilat të patronuara siç dihet nga Olsi Rama, ortaku i Amant Josifit, të cilat ditë e natë vjedhin qytetarët e huaj me mashtrime. Mashtrojnë qytetarët dhe call-centeri i cili u kontrollua, sipas hetimit që kanë bërë me agjentët e vet, vidhte në muaj të paktën 30 milionë euro me mashtrim.

Kjo veprimtari kriminale është absolutisht e tëra në mbikëqyrjen e narko-policisë. Njëlloj si dikur, për çdo rrënjë kanabis paguhej tarifa prej 300 eurosh kur ato ishin të shëndetshme, se jepnin 1 mijë euro fitim, çdo qendër, për çdo kompjuter, paguan tarifa zyrtarëve të policisë, të cilët mbyllin sytë ndaj veprimtarisë së tillë ku mashtrohen dhe vidhen qytetarët e vendeve të tjera.

Në këto qendra ushtrohet një mashtrim masiv i qytetarëve fatkeqë që besojnë, ku u thuhet sille shumën se do marrësh kaq, ke humbur në bursë, do gjejmë kaq, etj., me radhë. Është pra kjo veprimtari e shtetit mafioz.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb