Në Universitetin “Luarasi” u zhvillua këtë të enjte një leksion i hapur me temë “Roli i botës intelektuale në zhvillimin e shoqërisë”, i mbajtur nga ish-politikani, publicisti dhe autori i disa librave, Namik Dokle. Në aktivitet morën pjesë pedagogë dhe studentë.

Sherif Bundo, Dekan i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin “Luarasi”, theksoi rëndësinë e lidhjes së vazhdueshme mes botës akademike dhe shoqërisë, duke nënvizuar se universitetet duhet të shërbejnë si laboratorë të ideve që nxisin zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit.

“Bota akademike ka nevojë të jetë gjithmonë në kontakt me të gjithë spektrin e shoqërisë. Edhe këtu, në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit ‘Luarasi’, ftojmë herë pas here personalitete të tilla për të ndërtuar një komunikim të hapur, për të përcjellë dhe për të marrë mesazhe, si dhe për të kuptuar rolin që duhet të marrë bota akademike në përballjen me problemet e mëdha të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit. Idetë janë ato që e shtyjnë botën përpara dhe universitetet janë laboratorët ku këto ide përpunohen dhe zhvillohen. Kjo është arsyeja pse sot jemi të privilegjuar të kemi mes nesh një personalitet të shquar si z. Namik Dokle”, tha Dekani Bundo.

Nga ana e tij, Namik Dokle vlerësoi Universitetin “Luarasi” si një nga universitetet private më të mira në vend dhe ndau me studentët reflektime mbi arsimin, ekonominë dhe rolin e shifrave në drejtimin e shoqërisë.

“Është një kënaqësi e madhe për mua të bashkëbisedoj me studentë dhe pedagogë në një nga universitetet private më të mira që kemi. Vlerat e këtij universiteti janë rritur edhe më shumë pas marrëveshjes me universitetin anglez. Është gjithashtu kënaqësi të bisedosh me studentë dhe pedagogë të ekonomikut, pra të shifrave, sepse siç ka thënë një filozof, Shifrat nuk e drejtojnë botën, por tregojnë se si ajo mund të drejtohet më mirë”, u shpreh Dokle.

Ky aktivitet është pjesë e ciklit të leksioneve të hapura që Universiteti “Luarasi” organizon me figura të njohura të jetës publike, me synim nxitjen e debatit akademik dhe kulturës së reflektimit kritik në shoqërinë shqiptare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb