Pas përfundimit të seancës plenare, teksa deputetët socialistë po dilnin nga salla, një grup vajzash u janë drejtuar me thirrje deputeteve të Partisë Socialiste, Iris Luarasi dhe Sara Mila.
“Hajdutë! Kartonat e Ramës! Ministria e Arsimit, ikni me vrap sa më parë”, kanë thirrur vajzat në drejtim të deputeteve socialiste.
Edhe seanca e sotme plenare është shoqëruar me tensione dhe përplasje politike mes mazhorancës dhe opozitës.
Deputetët demokratë bllokuan foltoren, goditën tavolinat dhe ngritën pankarta në mbështetje të protestës së studentëve, duke kundërshtuar zhvillimin normal të punimeve parlamentare. Situata u përshkallëzua me ndezjen e flakadanëve dhe tymueseve në sallë, ndërsa Garda e Republikës ndërhyri duke krijuar një kordon përpara deputetëve të opozitës.
Për shkak të incidenteve, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, përjashtoi nga seanca katër deputetë demokratë: Blendi Himçi, Ivi Kaso, Bledion Nallbati dhe Xhelal Mziu. Ndërkohë, mazhoranca vijoi me miratimin e projektligjeve në rendin e ditës.
