Analisti Genc Burimi, i ftuar në News24, ka komentuar zhvillimet e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, duke u ndalur te themelimi i Bordit të Paqes të ideuar nga presidenti amerikan Donald Trump, ku marrin pjesë edhe Shqipëria dhe Kosova, si edhe te situata e krijuar rreth Groenlandës.

Sipas Burimit, prania e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Davos ishte një surprizë pozitive, por ai e cilësoi si problematike mungesën e Shqipërisë në një moment kaq të rëndësishëm diplomatik.

“Na habiti për mirë prezenca e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, por për mua nuk ishte gjë e mirë që Shqipëria nuk ishte krah Kosovës sot në Davos në miratimin e Bordit të Paqes”, u shpreh Burimi.

Analisti hodhi poshtë argumentin se angazhimet e tjera të kryeministrit Edi Rama kishin përparësi ndaj Davosit, duke e quajtur këtë një justifikim të pabesueshëm.

“Asnjë mendje normale nuk mund ta besojë që për Ivanka Trump ishte më e rëndësishme kjo ditë në Vlorë sesa prania e Ramës në Davos, ku Trump dhe Kushner kishin shumë nevojë për praninë e sa më shumë liderëve në themelimin e Bordit të Paqes”, tha ai.

Burimi sugjeroi se mungesa e Ramës në Davos mund të jetë rezultat i një strategjie izolimi nga ana e amerikanëve, për të shmangur një paraqitje të tij krah Donald Trump.

“Më duket më shumë si një alibi e amerikanëve që Rama të izolohej, të rrinte në Shqipëri dhe të mos shfaqej në një foto me Donald Trump në Davos”, deklaroi Burimi.

Duke folur për çështjen e Groenlandës, Burimi tha se presioni ekonomik i Evropës ka luajtur një rol kyç në qëndrimin e administratës amerikane. Sipas tij, vendet evropiane zotërojnë miliarda dollarë bono thesari të SHBA-ve dhe një shitje masive e tyre do të shkaktonte një krizë të rëndë financiare.

“Bankierë amerikanë bënë presion në Davos që SHBA nuk ka interes të bëjë presion për Groenlandën, gjë që e detyroi Trump të tërhiqej dhe të kërkonte një zgjidhje diplomatike”, u shpreh Burimi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb