Organizatat e shoqërisë civile kanë reaguar përmes një deklarate të përbashkët, duke kërkuar dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe fyerjes për të gjithë individët, si dhe mbrojtje të barabartë të lirisë së shprehjes, pavarësisht statusit profesional. Në deklaratë, organizatat mirëpresin hapat e ndërmarrë nga Kuvendi i Shqipërisë për rishikimin e kuadrit penal që lidhet me shpifjen dhe për forcimin e mbrojtjes penale të gazetarëve kur ata kërcënohen apo sulmohen për shkak të ushtrimit të profesionit. Sipas tyre, këto zhvillime përbëjnë një moment të rëndësishëm në debatin publik mbi lirinë e shprehjes dhe pasqyrojnë advokimin e vazhdueshëm të shoqërisë civile dhe komunitetit të gazetarëve.

Megjithatë, organizatat shprehin keqardhje që teksti i miratuar më 21 janar në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike nuk realizon dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe fyerjes. Sipas deklaratës, ndryshimet parashikojnë vetëm një përjashtim të kufizuar për gazetarët lidhur me veprën penale të shpifjes (neni 120 i Kodit Penal), ndërsa fyerja (neni 119) mbetet vepër penale. Shoqëria civile thekson se kjo qasje devijon nga objektivi fillestar i procesit konsultativ dhe nuk përputhet me rekomandimet e kahershme për mbrojtje të barabartë të lirisë së shprehjes, e cila duhet të lidhet me interesin publik dhe mirëbesimin, dhe jo me statusin profesional të folësit.

Deklarata vlerëson disa elemente pozitive të ndryshimeve, si njohja e raportimit në interes publik të ushtruar në mirëbesim dhe parashikimi i kritereve mbrojtëse, përfshirë përpjekjet për verifikim, të drejtën e përgënjeshtrimit dhe dallimin mes fakteve dhe opinioneve. Po ashtu, mirëpritet forcimi i mbrojtjes penale për gazetarët në rastet e kërcënimeve apo sulmeve për shkak të detyrës.

Megjithatë, organizatat paralajmërojnë se dekriminalizimi i pjesshëm rrezikon të mbetet i pazbatueshëm në praktikë.

REAGIMI

Ne, organizatat e shoqërisë civile nënshkruese, mirëpresim hapat e ndërmarrë nga Kuvendi i Shqipërisë për rishikimin e kuadrit penal që lidhet me shpifjen, si dhe për forcimin e mbrojtjes penale të gazetarëve kur ata shënjestrohen, kërcënohen apo sulmohen për shkak të ushtrimit të veprimtarisë së tyre profesionale. Këto zhvillime përbëjnë një moment të rëndësishëm në debatin publik mbi lirinë e shprehjes dhe pasqyrojnë advokimin e vazhdueshëm të shoqërisë civile dhe komunitetit të gazetarëve. Ne vlerësojmë përpjekjet ligjvënëse për të avancuar procesin e dekriminalizimit të shpifjes dhe njohim nismën parlamentare që synonte shfuqizimin e plotë të neneve 119 dhe 120 të Kodit Penal, të shoqëruar me një proces konsultimi publik, ku shoqëria civile u angazhua në mënyrë aktive dhe konstruktive.

Në të njëjtën kohë, me keqardhje vërejmë se teksti i miratuar më 21 janar në Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike nuk realizon dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe fyerjes, por parashikon një përjashtim të kufizuar vetëm për gazetarët për veprën e shpifjes (Neni 120 i Kodit Penal). Kjo qasje devijon nga objektivi fillestar i procesit konsultativ dhe nuk është në përputhje me rekomandimet e kahershme të shoqërisë civile dhe komunitetit të gazetarëve, të cilat kanë kërkuar vazhdimisht mbrojtje të barabartë të lirisë së shprehjes për të gjithë individët, të lidhur me natyrën e shprehjes dhe interesin publik që i shërben, dhe jo me statusin profesional të folësit. Versioni i miratuar në Komision dhe që pritet të miratohet në Seancë Plenare së shpejti, përfshin megjithatë disa elemente që përbëjnë hapa përpara. Ndryshimet njohin se raportimi në interes publik i ushtruar në mirëbesim nuk duhet t’i nënshtrohet ndëshkimit penal dhe parashikojnë disa kritere mbrojtëse, si përpjekjet e arsyeshme për verifikim, reagimi përmes përgënjeshtrimit ose

sqarimit dhe dallimi ndërmjet fakteve dhe vlerësimeve apo opinioneve. Po ashtu, mirëpresim forcimin e masave penale për mbrojtjen e gazetarëve në amendimet e neneve 237 dhe 238 të Kodit Penal, në rastet kur ata shënjestrohen, kërcënohen ose sulmohen për shkak të ushtrimit të detyrës së tyre profesionale. Këto masa janë në përputhje me detyrimet pozitive të shtetit për të garantuar një mjedis të sigurt për ushtrimin e lirisë së shprehjes. Megjithatë, theksojmë se kjo mbrojtje duhet të zbatohet mbi bazë funksionale, duke vlerësuar lidhjen midis veprës penale dhe ushtrimit të veprimtarisë së informimit të publikut në interes publik, dhe jo mbi bazë statusore apo kritereve formale të regjistrimit ose njohjes profesionale.

Ky dekriminalizim i pjesshëm rrezikon të mbetet i pazbatueshëm në praktikë, përfshirë edhe për vetë gazetarët të cilëve iu dedikohet ky ndryshim ligjor. Së pari, ndryshimi lidhet vetëm me shpifjen, ndërkohë që fyerja (Neni 119 i Kodit Penal) mbetet vepër penale, duke krijuar rrezikun që rastet e shpifjes të paraqiten dhe të trajtohen përmes nenit të fyerjes, duke anashkaluar garancitë e parashikuara për shpifjen.

Së dyti, përjashtimi nga përgjegjësia penale kufizohet vetëm për gazetarët “e regjistruar dhe të njohur”, në një kontekst ku Shqipëria nuk ka një sistem ligjor për regjistrimin e gazetarëve dhe nuk duhet të ketë një të tillë, pasi krijimi i një regjistri do të binte ndesh me standardet evropiane të lirisë së shprehjes dhe do të rrezikonte vendosjen e mekanizmave të kontrollit ose filtrimit të ushtrimit të profesionit. Në mungesë të një baze ligjore dhe institucionale për regjistrimin e gazetarëve, ekziston rreziku që kjo dispozitë të mos mund të zbatohet nga gjykatat dhe, njëkohësisht, t’i hapë rrugë përpjekjeve për krijimin e një regjistri formal, me pasoja të rënda për pluralizmin mediatik dhe pavarësinë e gazetarisë.

Së treti, organizatat jofitimprurëse, përfaqësuesit e tyre, aktivistët, studiuesit, denoncuesit/sinjalizuesit dhe qytetarët nuk përfitojnë nga ndryshimet ligjore, ndonëse këta aktorë përballen shpesh me presione ligjore dhe padi që kanë efekt frenues mbi ushtrimin e lirisë së shprehjes. Së fundi, edhe sikur ky ndryshim ligjor të hynte plotësisht në fuqi, parakushtet e shumta dhe formulimet e paqarta e bëjnë zbatimin e tij praktikisht të pamundur, duke sjellë në praktikë mungesë dekriminalizimi edhe në formë të pjesshme. Për këto arsye, kërkesa jonë është e qartë dhe e përsëritur: Kuvendi i Shqipërisë duhet të ndërmarrë dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe fyerjes për të gjithë individët, duke e lidhur mbrojtjen ligjore me shprehjen në interes publik dhe mirëbesimin, dhe jo me statusin profesional të folësit. Një reformë e tillë është e domosdoshme për përputhjen me standardet e Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Europës dhe për garantimin real të lirisë së shprehjes si e drejtë themelore në një shoqëri demokratike.

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb