Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se avancimi i Projektligjit për vlerësimin e diskriminimit në Luginë të Preshevës dërgon mesazhin se, sipas saj, “diskriminimi kundër komunitetit shqiptar në Serbi më nuk është i padukshëm apo tolerohet”.
“Serbia vazhdimisht ka kryer shkelje autoritare të të drejtave të minoriteteve, përfshirë fushatën e pasivizimit të qëllimshëm për pastrim etnik përmes mjeteve administrative, shtypjes së gjuhës shqipe, mospërfshirjen në institucionet publike, diskriminimin në arsim, margjinalizimin ekonomik dhe frikësimin nga autoritetet qendrore”, tha Osmani përmes një postimi në X.
Anëtarët e Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit amerikan kanë votuar më 21 janar për të dërguar përpara këtë projektligj, që i kërkon sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, të përgatis një raport gjithëpërfshirës për trajtimin e pakicave etnike në Serbi, veçmas të shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, që njihen edhe si Lugina e Preshevës.
Osmani falënderoi anëtarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Keith Self, që ka sponsorizuar projektligjin, kryetarin e Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Brian Mast dhe anëtarët e tjerë të këtij trupi që votuan për “avancimin e projektligjit me mbështetje dypartiake”.
Pasi ta kalojë shqyrtimin e plotë, ky projektligj raportohet nga Komiteti për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve dhe do t’i dërgohet për votim gjithë Dhomës së Përfaqësuesve. Më pas ai duhet të miratohet edhe nga Senati dhe të nënshkruhet në ligj nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Ky projektligj kërkon të vlerësohen çështje me rëndësi, përfshirë pasivizimin e adresave të shqiptarëve, kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike, diskriminimin në arsim, përfshirë mosnjohjen e diplomave të Kosovës dhe mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.
