Një pensioniste britanike ka përshkruar jetën e saj si një “makth”, pasi u dëbua nga shtëpia dhe u detyrua të kalonte natën në rrugë, pas humbjes së një beteje ligjore pesëvjeçare me fqinjën e saj për një rrip toke prej vetëm 30 cm. Jenny Field, 77 vjeçe, u nxor nga shtëpia e saj të hënën nga përmbaruesit, pasi një gjykatë urdhëroi shitjen e pronës për të shlyer 113 mijë paund shpenzime ligjore që ajo i detyrohet fqinjës së saj, Pauline Clark. Vila me tre dhoma gjumi në Poole, Dorset, vlerësohet rreth 420 mijë paund. Pensionistes iu dha kohë e kufizuar për të marrë disa sende personale dhe telefonin celular, përpara se bravat e banesës të ndërroheshin. Ajo tha se e kaloi ditën duke bredhur me çantat e saj dhe u detyrua të flinte në rrugë.

Më pas, Field iu drejtua zyrave të Këshillit të BCP-së në përpjekje për të siguruar strehim emergjent. Sipas saj, autoritetet i kanë dhënë 21 ditë kohë për të larguar mobiljet dhe sendet personale nga shtëpia, përpara se ajo të dalë në shitje. “Është thjesht një makth. Po pres të flas me dikë në këshill për strehim emergjent. Është një proces i gjatë,” tha ajo. “Kam tre javë kohë për të nxjerrë gjithçka, përndryshe do t’i hedhin jashtë. Por nuk kam ku t’i vendos, kam një shtëpi me tre dhoma gjumi.”. Pavarësisht se çështja e saj është rrëzuar në mënyrë të përsëritur nga gjykatat, znj. Field ka deklaruar se nuk do të dorëzohet dhe se do të vazhdojë betejën ligjore, duke pretenduar se fqinja e saj ka kryer mashtrim. Pas dëbimit, ajo u pa duke i rënë vazhdimisht ziles së derës dhe duke kërkuar të hynte në banesë.
Nga ana tjetër, avokatja e Clark, Anna Curtis, deklaroi se Field kishte kapital të mjaftueshëm në pronë për të shlyer borxhin dhe për të siguruar ende një hipotekë të rehatshme për pensionistë, duke pasur edhe para të mbetura.

Në vendimin e dhënë në Gjykatën e Qarkut Bournemouth shtatorin e kaluar, gjyqtari Ross Fentem e përshkroi çështjen si një “mosmarrëveshje shumë të gjatë për kufijtë”, duke theksuar se Field kishte tentuar në mënyrë të përsëritur të rihapte një çështje tashmë të gjykuar. “Çdo përpjekje për ta rihapur çështjen ka dështuar. Nuk ka asnjë provë që të tregojë mashtrim,” tha gjyqtari, duke shtuar se urdhri për shitjen e shtëpisë ishte një masë “drakoniane”, por e vetmja mënyrë për të garantuar pagesën e borxhit. Mosmarrëveshja nisi në vitin 2020, kur Clark ngriti një gardh kufitar në një rrugicë të qetë banimi në Hamworthy, Poole. Field pretendoi se gardhi ishte zhvendosur rreth 25 cm në tokën e saj dhe e hoqi atë dy muaj më vonë, duke e vendosur sërish. Clark e çoi çështjen në gjykatë dhe fitoi, me Field që u urdhërua të paguante koston e gardhit dhe pjesën më të madhe të shpenzimeve ligjore. Refuzimi i saj për ta pranuar vendimin çoi në rikthime të shumta në gjykatë, duke rritur faturën ligjore në mbi 100 mijë paund. Pasi afati për pagesën skadoi, gjykata autorizoi dëbimin, ndërsa përpjekjet e Field për të bllokuar procesin përmes email-eve, letrave dhe një tabele proteste në derën e shtëpisë rezultuan të pasuksesshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb