Detaje të reja kanë dalë në dritë për vrasjen e 38-vjeçares skoceze Elizabeth, trupi i së cilës u gjet brenda një valixheje në zonën e Kypselit, në Athinë, në mesin e muajit korrik. Sipas mediave britanike, 26-vjeçari afgan Sharif Ahmadzai është lënë në paraburgim, ndërsa dëshmia e gruas së tij amerikane, Alaina, konsiderohet vendimtare për avancimin e hetimeve të Policisë Greke.
Sipas deklaratës së Alainës, ajo dhe bashkëshorti i saj u njohën me Elizabeth gjatë punës vullnetare në një organizatë bamirëse për refugjatët në Athinë, në shkurt të vitit 2026. Ajo e përshkroi 38-vjeçaren si “një person shumë të sjellshëm, zemërmirë dhe me shpirt të mirë”. Gruaja amerikane deklaroi se e kishte parë për herë të fundit Elizabeth më 12 korrik, vetëm pak ditë para datës kur autoritetet besojnë se ajo u vra.
Sipas saj, atë ditë Elizabeth i kishte ftuar për një shëtitje, ndërsa më pas Ahmadzai iu bashkua atyre. Më vonë, Alaina u kthye në shtëpi, duke i lënë të dy vetëm. Pas takimit, Elizabeth dhe Ahmadzai vijuan të komunikonin. Punonjësja e organizatës bamirëse i kishte kërkuar 26-vjeçarit ta ndihmonte në shpërndarjen e Biblave. Më 15 korrik, Alaina pa një mesazh që Elizabeth i kishte dërguar bashkëshortit të saj, ku shkruante: “Faleminderit për gatishmërinë tënde për të ardhur me mua.”
Po atë natë, ajo u zgjua dhe zbuloi se burri i saj kishte dalë nga shtëpia pa i thënë asgjë. “Kontrollova vendndodhjen e tij në telefon dhe pashë se ndodhej në apartamentin në rrugën Rethymno. U habita, sepse nuk kishte asnjë arsye që ai të ishte atje në atë orë”, deklaroi ajo. Kur e telefonoi, Ahmadzai i tha se kishte dalë për të parë një ndeshje futbolli në një kafene dhe se kishte hyrë në apartament vetëm për të përdorur banjën.
Sipas hetimeve, i dyshuari ka pranuar se kishte shkuar në banesën e Elizabeth më 15 korrik.
Dyshimet e gruas
Fillimisht, Alaina tha se i besoi shpjegimit të bashkëshortit. Madje, gjatë javëve që pasuan, ai u soll normalisht dhe i bleu asaj një telefon të ri. Megjithatë, gjithçka ndryshoi kur mediat raportuan se në Kypseli ishte gjetur trupi i një gruaje brenda një valixheje. Më 29 korrik, Alaina i dërgoi një mesazh Elizabeth, por përgjigjet që mori i dukën të pazakonta.
“Këto mesazhe nuk ishin në stilin e saj, as për mënyrën e të shkruarit në anglisht dhe as për përdorimin e emoji-ve, të cilat ajo nuk i përdorte kurrë”, deklaroi ajo. Pasi nuk arriti ta kontaktonte me telefon, nisi të dyshonte se viktima mund të ishte pikërisht Elizabeth. “Të gjitha këto, takimet, mesazhet dhe sjellja e burrit tim, më bënë të ndihesha shumë në siklet dhe të dyshoja”, tha ajo në dëshminë e saj. Pasi autoritetet identifikuan zyrtarisht viktimën si Elizabeth, Alaina deklaroi se u frikësua aq shumë, sa vendosi të largohej nga banesa dhe ta kalonte natën në vende të ndryshme.
Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e plotë të vrasjes vijojnë, ndërsa Sharif Ahmadzai përballet me akuzat për krimin që ka tronditur opinionin publik në Greqi.
