Historia e kompanisë pa licencë që mori përsipër Rindërtimin
Në fakt e gjithë historia e Rindërtimit me grante individuale në njësinë administrative Sinaballaj të Rrogozhinës ka filluar në 30 mars 2023, kur administratorja Arta Danaj do të regjistronte kompaninë “Duka Tr Construction” me veprimtari në fushën e ndërtimit në kryeqytet.

Këtu do të nisnin edhe dyshimet e para sepse për të realizuar një projekt si Rindërtimi, do të duhej eksperienca dhe realizimi i disa punimeve të tjera. Madje duke parë që banorët ishin të pastrehë, këto punime duheshin kryer sa më shpejt për të shmangur bonus qiratë dhe për t’i akomoduar banorët në shtëpitë e reja.

Një element thelbësor që del nga dëshmitë e banorëve është fakti se përfaqësuesit e kompanisë ndërtuese u janë paraqitur atyre duke deklaruar se firma ishte “e zgjedhur nga bashkia”.

“Kjo çështje është pak e ngatërruar. Firma na ka ardhur, na ka kontaktuar, na tha ne kemi marrë shtëpitë e tërmetit dhe ne firmosëm kontratat”, deklaroi për “Vetting” Ledi Sula.

Sipas ligjit, bashkia nuk zgjedh dhe nuk ndërmjetëson kompaninë ndërtuese në këtë rast. Ligji është ndërtuar në mënyrë të tillë që paratë t’i jepen banorit, ndërsa vendimi se me kë do të ndërtojë shtëpinë i takon vetë përfituesit. Kontratat private dhe mënyra si kanë rrjedhur veprimet në terren ngrenë pikëpyetje për rolin real të zyrave vendore në informimin dhe orientimin e banorëve gjatë procesit. Kjo do të thotë se banori mban rrezikun, sepse banori ka bërë zgjedhjen.

Në skemën e grantit individual, bashkia shfaqet me rol administrativ dhe verifikues, ndërsa marrëdhënia me kompaninë ndërtuese formalizohet nga vetë banori me kontratë private.

Ky fakt bie në kundërshtim me qëllimin e skemës së grantit individual, e cila bazohet në zgjedhjen e lirë të operatorit nga përfituesi dhe në mosndërhyrjen e bashkisë në marrëdhënien private. Nëse ky prezantim ka ndodhur me dijeninë ose tolerimin e strukturave bashkiake, atëherë skema e grantit, edhe pse formalisht e ligjshme, është deformuar në zbatim.

Për të zbuluar më shumë, “Vetting” kontaktoi administratoren e kompanisë “Duka Tr Construction” Arta Danaj për ta pyetur në lidhje me këtë pikë.

“Nuk më ka zgjedhur Bashkia Rrogozhinë, kam patur marrëdhënie vetëm me individët”, u shpreh për “Vetting” administratorja Danaj.

Përsa i përket deklaratave të banorëve që ishte prezantuar si kompani që do merrej me Rindërtimin në Sinaballaj, për “Vetting” Danaj tha se nuk ishte në dijeni se çfarë thonë banorët.

“Unë kam patur marrëdhënie vetëm me individët, nuk kam pasur asnjëherë marrëdhënie që të më ketë zgjedhur Bashkia”, u shpreh administratorja Danaj duke mohuar se ishte përzgjedhur nga Bashkia Rrogozhinë.

Edhe pse bashkia Rrogozhinë “lan” duart nga skema e grantit individual, përsëri roli dhe përgjegjësia për problemet që u kanë ndodhur banorëve ngelen mbi institucionin që drejtohet nga Edison Memolla.

Ky i fundit është nën akuzë nga SPAK për shpërdorim detyre dhe Gjykata e Posaçme e ka dënuar me një vit heqje lirie dhe e ka ndaluar që për 5 vite të ushtrojë funksione publike. Avokati i kryebashkiakut ka deklaruar se do ta apelojë vendimin.

Teksa kryetari i Bashkisë Rrogozhinë ka probleme me SPAK-un, banorët e Njësisë Administrative Sinaballaj thonë se kanë mbetur në qiell të hapur dhe dyshojnë për mënyrën si është zhvilluar procesi.

Në 14 shkurt 2024, Memolla do të firmoste kontratat individuale me banorët e Sinaballaj, të cilët kishin detyrimin që me fondet e marra të realizonin banesat sipas formatit të përshkruar nga Bashkia Rrogozhinë. Disa ditë më pas, në fund të shkurtit 2024, këta banorë do të firmosnin kontratat me kompaninë “Duka Tr Construction” në pronësi të Arta Danaj.

Këto kontrata janë akte private, të noterizuara, ku bashkia nuk figuron si palë kontraktuese dhe në to parashikohet që kompania ndërtuese të kryejë punimet e rindërtimit kundrejt shumës së grantit të përfituar nga banori.

Sipas dokumenteve evidentohet se fondet janë shpërndarë nëpërmjet dy fazave, përkatësisht 60% në fillim dhe 40% pas verifikimit të përfundimit të karabinës ose të fazës përkatëse të ndërtimit. Por kryerja e pagesave nëpërmjet kësteve kushtëzohet nga verifikimet e strukturave të bashkisë, të cilat duhet të analizojnë progresin real të punimeve. Kontratat e grantit parashikojnë gjithashtu detyrimin e bashkisë për mbikqyrje dhe të drejtën për të kërkuar kthimin e fondeve dhe aplikimin e penaliteteve në rast mospërmbushjeje.

Në fakt, që nga fillimi Bashkia e drejtuar nga Edison Memolla ka lejuar që kompania pa licencë profesionale, të shemb dhe rindërtojë banesat në shkelje të ligjit. Duke certifikuar fazat e punimeve dhe duke lejuar disbursimin e granteve publike, institucioni ka dështuar në detyrimin ligjor të mbikëqyrjes dhe kontrollit të procesit të rindërtimit.

Sipas regjistrave zyrtarë të shoqërive të zbatimit për punime ndërtimi, ‘Duka Tr Construction’ nuk rezulton i listuar në këto dokumente.

Pyetjes së “Vetting” se mbi ç’bazë ligjore ka lidhur kontrata ndërtimi me banorët, administratorja Danaj u përgjigj duke thënë se për banesat një katëshe nuk është konditë.

“Për ndërtimin 1-katësh nuk është konditë ligjore. Unë kam një inxhinier aty, që e le që ndjek punimet”, tha juristja Danaj.

Edhe pse i sollëm në vemendje parashikimet e ligjit, administratorja e kompanisë këmbënguli se për ndërtimin e godinave një katëshe nuk është konditë.

“Unë kam teknik ndërtimi, inxhinier ndërtimi që e kam paguar atëhere dhe ka ndjekur punimet”, u shpreh administratorja e “Duka Tr Construction”.

Por kompania ka shkelur ligjin duke marrë përsipër punime rindërtimi pa qenë e pajisur me licencë profesionale për zbatim punimesh ndërtimi. Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 42, datë 16.01.2008 parashikon se punimet e ndërtimit kryhen vetëm nga subjekte të licencuara, pa përjashtim për banesa njëkatëshe apo rindërtim pas tërmetit. Po ashtu, ligji nr. 107/2014, neni 45 përcakton se punimet e ndërtimit dhe zbatimi i lejes së ndërtimit mund të kryhen vetëm nga subjekte të licencuara. Marrja përsipër e kontratave të rindërtimit nga një subjekt që nuk figuron në Regjistrin e Shoqërive të Zbatimit përbën shkelje nga ana e kompanisë.

Administratorja Danaj nuk mohoi problemet e shtëpisë së re që kishte Nexhmie Halili, e cila ankohej për çatinë e shtëpisë.

Gazetari: Po mirë, çeshtja e zonjës Nexhmie Halili?

Administratorja Arta Danaj: Nexhmia ka vetëm dyert dhe dritaret dhe ia kam porositur unë dhe do t’ja sjell.

Gazetari: Pra, nuk e keni përfunduar atë si projekt?

Administratorja Arta Danaj: Vetëm dyert edhe dritaret ka dhe është në përfundim ajo.

Gazetari: Por kur do mbarojnë punimet e Nexhmies?

Administratorja Arta Danaj: Brenda një muaji do t’i përfundojmë, i kam porositur unë dyer dhe dritare në varësi të atij djali që bën dyer dhe dritare.

Gazetari: A e dini që shtëpia e Nexhmies ka probleme me çështjen e soletës me ujin, me shirat?

Administratorja Arta Danaj: E kam rregulluar njëherë unë, e kam izoluar dhe do e izoloj prap. Ka ndodhur nga betoni, unë nuk e di, por do ta izoloj përsëri.

Gazetari: Këto të tjerat sipas jush keni patur probleme me këtë zotërinë, po me çështjen e Nexhmies, pse është zvarritur kaq gjatë procesi kur i keni marrë pagesat?

Administratorja Arta Danaj: Nga borxhet që u ndërtuan nga Tomori, që u mori lekët, unë kam bërë një pjesë të ndërtimeve të tjerëve dhe i kam zvarritur… i kam zvarritur se i kam bërë një çikë ngadalë.”

Përplasjet midis Arta Danaj dhe Tomor Myftaraj, akuzat për mashtrim
Banorët kanë deklaruar se shtëpitë e tyre kanë ngelur pa përfunduar dhe në skenë do të dilte edhe Tomor Myftaraj, që nga banorët shihej si bashkëpunëtor i saj. Një problem tjetër që kanë hasur banorët është se për të mbyllur punimet e shtëpive, ata kanë filluar të investojnë vetë, duke i detyruar të shkrijnë kursimet apo në rastin më të keq të marrin borxh.

“Tani ne kemi shkuar te bashkia, jemi ankuar te bashkia, edhe problemi është i firmës se janë dy bashkëpunëtorë, një grua edhe një burrë, se nuk dua të jap emrat për momentinm, por…nejse do i them dhe emrat. Një e quajnë Tomor, kurse zonjën e quajnë Arta, edhe këta gjithmonë me gisht te njëri-tjetri, “jo i mori ky lekët” ose “jo i mori kjo lekët”. Domethënë faji mbetet jetim, edhe pasojat i paguajnë banorët tani për të mbyllur shtëpiat. Tani çfarë shikon poshtë instalime, pllaka, dyert, të gjitha këto i kemi bërë nga xhepi ynë. Edhe firma nuk na përgjigjet”, u shpreh Ledi Sula.

Të njëjtën gjë deklaron edhe një banor tjetër në Sinaballaj Shërbet Halili, i cili i ka mbyllur vetë punimet.

“Po një herë në fillim, i bënë foto banesës. Ishte e nevojshme për shembje dhe i shembën. Edhe filluan punimet. Pasi morën 60%-in. Iku 60%-i me solete, me të gjitha. Ishte për t’u marrë 40%-i. Para dreke vjen kjo zonja. Pasdite vjen ai zotëriu, se u përçanë këta. Nuk u përçanë për të humbur gjurmë, nuk e di si kishin thënë se ne jemi dhe njerëz të afërt. Një thoshte mos ia jep kësajt. Kur pashë unë te letra, thoshte administratore Arta Danaj. Sollën nja 12 metra rërë, çimento, 13 kasta, këto janë. Edhe filloi punën, i la gjysëm”, u shpreh për “Vetting” Shërbet Halili.

Nga tabloja që paraqesin banorët është e qartë se Bashkia Rrogozhinë ka shmangur përgjegjësitë dhe detyrimet sipas ligjit për programin e Rindërtimit. Për të ballafaquar deklaratat e banorëve dhe të administratores, “Vetting” komunikoi me këtë të fundit për punimet e papërfunduara dhe çështjes së monitorimit nga Bashkia.

“Ato kanë rezultuar që janë ndjekur nga Bashkia deri në fazën 60% dhe i ka ndjekur Bashkia, madje më kanë thërritur mua, më ka thënë “Art, i ke marrë paratë atyre (banorëve)? Jo, Nuk e di kujt ia kanë dhënë, një pjesë thonë “ia kanë dhënë Tomorit”, një pjesë…tre banesa janë ato, në fakt 4”, u shpreh administratorja Danaj.

Në lidhje me shtetasin Tomor Myftaraj, pronarja e “Duka Tr Construction” dha disa sqarime për shkak të akuzave nga banorët.

Gazetari: Ju keni nënkontraktuar person, kompani tjetër për kryerjen e punimeve?

Administratorja Arta Danaj: Jo, jo absolutisht jo dhe nuk i kam dhënë as prokurë, as kontratë, asgjë tjetër dhe ato pa vënë mua në dijeni, nuk kanë respektuar kontratën, por janë marrë me dikë tjetër aty dhe ia kanë kaluar paratë atij dhe unë kam bërë më shumë se sa kam pasur në kontratë.

Gazetari: Po mirë, m.q.s dolët te kjo çështje, cili është raporti juaj me Tomor Myftaraj? E keni kontaktuar, e keni prezantuar ju për të kryer punimet?

Administratorja Arta Danaj: Jo! Ai ka qenë i punësuar aty.

Gazetari: Ku?

Administratorja Arta Danaj: Ka qenë i punësuar në kompani (Duka Tr Construction) deri vjet në tetor dhe ato para i ka marrë duke mashtruar ato, biles i ka marrë pa dijeninë time fare, absolutisht pa dijeninë time fare.

Gazetari: Po keni marrë masa ndaj këtij personi?

Administratorja Arta Danaj: E kam hequr menjëherë nga puna.

Sipas administratores së kompanisë Arta Danaj, Tomor Myftaraj ka marrë paratë nga banorët pa dijeninë e tij dhe nuk është përgjegjësi e saj.

Dokumenti i siguruar nga “Vetting” tregon se Tomor Myftaraj dhe administratorja Danaj kanë patur një përplasje, e cila ka përfunduar në Komisariatin e Kavajës.

Më 7 nëntor 2024, inspektori i zonës do të merrte në pyetje Tomor Myftaraj përsa i përket mosmarrëveshjeve që Arta Danaj kishte me këtë të fundit. Në letër Myftaraj deklaron se ka një biznes ndërtimi dhe ka lidhur kontratë për disa familje për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti, ndërkohë që ka një kontratë të cilën e ka lidhur me znj.Danaj. Në fund të letrës, Myftaraj pranon se pasi ka kontaktuar administratoren Danaj, ka gjetur gjuhën për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me këtë të fundit.

Nga të dhënat në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Tomor Myftaraj nuk rezulton të ketë ndonjë biznes të vetin, por i ka llogaritë e bllokuara dhe ngelet mister se me cilën kompani ka vepruar për ndërtimin e këtyre shtëpive.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb