Armand Kullau | Vetting
Përplasjet midis Arta Danaj dhe Tomor Myftaraj, akuzat për mashtrim
Banorët kanë deklaruar se shtëpitë e tyre kanë ngelur pa përfunduar dhe në skenë do të dilte edhe Tomor Myftaraj, që nga banorët shihej si bashkëpunëtor i saj. Një problem tjetër që kanë hasur banorët është se për të mbyllur punimet e shtëpive, ata kanë filluar të investojnë vetë, duke i detyruar të shkrijnë kursimet apo në rastin më të keq të marrin borxh.
“Tani ne kemi shkuar te bashkia, jemi ankuar te bashkia, edhe problemi është i firmës se janë dy bashkëpunëtorë, një grua edhe një burrë, se nuk dua të jap emrat për momentinm, por…nejse do i them dhe emrat. Një e quajnë Tomor, kurse zonjën e quajnë Arta, edhe këta gjithmonë me gisht te njëri-tjetri, “jo i mori ky lekët” ose “jo i mori kjo lekët”. Domethënë faji mbetet jetim, edhe pasojat i paguajnë banorët tani për të mbyllur shtëpiat. Tani çfarë shikon poshtë instalime, pllaka, dyert, të gjitha këto i kemi bërë nga xhepi ynë. Edhe firma nuk na përgjigjet”, u shpreh Ledi Sula.
Të njëjtën gjë deklaron edhe një banor tjetër në Sinaballaj Shërbet Halili, i cili i ka mbyllur vetë punimet.
“Po një herë në fillim, i bënë foto banesës. Ishte e nevojshme për shembje dhe i shembën. Edhe filluan punimet. Pasi morën 60%-in. Iku 60%-i me solete, me të gjitha. Ishte për t’u marrë 40%-i. Para dreke vjen kjo zonja. Pasdite vjen ai zotëriu, se u përçanë këta. Nuk u përçanë për të humbur gjurmë, nuk e di si kishin thënë se ne jemi dhe njerëz të afërt. Një thoshte mos ia jep kësajt. Kur pashë unë te letra, thoshte administratore Arta Danaj. Sollën nja 12 metra rërë, çimento, 13 kasta, këto janë. Edhe filloi punën, i la gjysëm”, u shpreh për “Vetting” Shërbet Halili.
Nga tabloja që paraqesin banorët është e qartë se Bashkia Rrogozhinë ka shmangur përgjegjësitë dhe detyrimet sipas ligjit për programin e Rindërtimit. Për të ballafaquar deklaratat e banorëve dhe të administratores, “Vetting” komunikoi me këtë të fundit për punimet e papërfunduara dhe çështjes së monitorimit nga Bashkia.
“Ato kanë rezultuar që janë ndjekur nga Bashkia deri në fazën 60% dhe i ka ndjekur Bashkia, madje më kanë thërritur mua, më ka thënë “Art, i ke marrë paratë atyre (banorëve)? Jo, Nuk e di kujt ia kanë dhënë, një pjesë thonë “ia kanë dhënë Tomorit”, një pjesë…tre banesa janë ato, në fakt 4”, u shpreh administratorja Danaj.
Në lidhje me shtetasin Tomor Myftaraj, pronarja e “Duka Tr Construction” dha disa sqarime për shkak të akuzave nga banorët.
Gazetari: Ju keni nënkontraktuar person, kompani tjetër për kryerjen e punimeve?
Administratorja Arta Danaj: Jo, jo absolutisht jo dhe nuk i kam dhënë as prokurë, as kontratë, asgjë tjetër dhe ato pa vënë mua në dijeni, nuk kanë respektuar kontratën, por janë marrë me dikë tjetër aty dhe ia kanë kaluar paratë atij dhe unë kam bërë më shumë se sa kam pasur në kontratë.
Gazetari: Po mirë, m.q.s dolët te kjo çështje, cili është raporti juaj me Tomor Myftaraj? E keni kontaktuar, e keni prezantuar ju për të kryer punimet?
Administratorja Arta Danaj: Jo! Ai ka qenë i punësuar aty.
Gazetari: Ku? Administratorja Arta Danaj: Ka qenë i punësuar në kompani (Duka Tr Construction) deri vjet në tetor dhe ato para i ka marrë duke mashtruar ato, biles i ka marrë pa dijeninë time fare, absolutisht pa dijeninë time fare.
Gazetari: Po keni marrë masa ndaj këtij personi?
Administratorja Arta Danaj: E kam hequr menjëherë nga puna.
Sipas administratores së kompanisë Arta Danaj, Tomor Myftaraj ka marrë paratë nga banorët pa dijeninë e tij dhe nuk është përgjegjësi e saj.
Dokumenti i siguruar nga “Vetting” tregon se Tomor Myftaraj dhe administratorja Danaj kanë patur një përplasje, e cila ka përfunduar në Komisariatin e Kavajës.
Më 7 nëntor 2024, inspektori i zonës do të merrte në pyetje Tomor Myftaraj përsa i përket mosmarrëveshjeve që Arta Danaj kishte me këtë të fundit.

Në letër Myftaraj deklaron se ka një biznes ndërtimi dhe ka lidhur kontratë për disa familje për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti, ndërkohë që ka një kontratë të cilën e ka lidhur me znj.Danaj.
Në fund të letrës, Myftaraj pranon se pasi ka kontaktuar administratoren Danaj, ka gjetur gjuhën për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me këtë të fundit.
Nga të dhënat në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Tomor Myftaraj nuk rezulton të ketë ndonjë biznes të vetin, por i ka llogaritë e bllokuara dhe ngelet mister se me cilën kompani ka vepruar për ndërtimin e këtyre shtëpive.
