Gjykata Federale e Kasacionit e Gjermanisë ka mbështetur apelin e një mësueseje, e cila pretendoi se ishte diskriminuar nga një agjent pasurish të paluajtshme për shkak të mbiemrit të saj me origjinë pakistaneze, duke u përjashtuar si qiramarrëse e mundshme. Sipas paditëses, gjatë kërkimit të një apartamenti për familjen e saj, ajo kontaktoi një agjent pasurish të paluajtshme për të shprehur interes për një njoftim konkret, por kërkesa e saj u refuzua menjëherë. Megjithatë, kur ajo u përpoq të komunikonte me të njëjtin agjent duke përdorur mbiemra gjermanë si “Schneider”, “Schmidt” dhe “Spiess”, ajo mori përgjigje pozitive.

Për të verifikuar dyshimet, gruaja provoi edhe emra të tjerë pakistanezë dhe gjermanë, duke konstatuar se në çdo rast, aplikimet me mbiemra gjermanë merrnin përgjigje, ndërsa ato me mbiemra pakistanezë refuzoheshin. Mësuesja e paditi agjentin duke u bazuar në ligjin për trajtim të barabartë dhe kërkoi 3 mijë euro dëmshpërblim, duke argumentuar se ishte viktimë e diskriminimit për shkak të origjinës së saj.

Gjykata vendosi në favor të saj, duke konstatuar një “diskriminim të qartë”. Në arsyetimin e vendimit, theksohet se diskriminimi bëhet edhe më i rëndë për shkak të rolit kyç që luajnë agjentët e pasurive të paluajtshme në procesin e gjetjes së banesave, pasi ata janë porta kryesore përmes së cilës qiramarrësit e mundshëm mund të ftohen edhe për një vizitë.

Komisionerja Federale për Luftën Kundër Diskriminimit, Ferda Ataman, e përshëndeti vendimin duke e cilësuar atë si “një mesazh të rëndësishëm për shoqërinë gjermane, se diskriminimi në tregun e banesave është i ndaluar dhe se qytetarët kanë të drejtë të mbrohen ligjërisht”. Ataman bëri thirrje gjithashtu për ndryshimin e kuadrit ligjor, në mënyrë që të ndalohen edhe reklamat diskriminuese për banesa, një rregull që tashmë zbatohet për shpalljet e vendeve të punës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb